E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-PD pro shkrirjes së KQZ

• Maxhoranca propozon shkrirjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si pjesë e reformës zgjedhore.

BLEDAR HOTI

Propozimi i maxhorancës u paraqit në emër të PD-së, nga relatorja e amendimeve për ndryshimin e Kushtetutës, demokratja, Arenza Trashani. Ish-ministrja e Integrimit paraqiti ndryshimet për të cilat theksoi se, për një gjë të tillë janë pro dhe socialistët. Në relacionin e saj Trashani u shpreh se, “kemi propozuar disa rregullime teknike që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor të mbyllur”. Trashani, si relatore e çështjes propozoi heqjen fare të neneve kushtetuese, që parashikojnë menaxhimin e zgjedhjeve nga një institucion i posaçëm siç është edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ndërsa ka shtuar se, “lista e shumemërore do të jetë e mbyllur për kandidatët për deputetë të partive të ndryshme”. Ndërsa relatori tjetër, socialisti Fatmir Xhafaj theksoi se, “PS-ja ka rënë dakord për propozimet teknike të ofruara nga ana e deputetes së PD-së, Trashani”, duke nënkuptuar se edhe partia më e madhe e opozitës është pro shkrirjes së KQZ-së. Në mbledhjen e komisionit parlamentar të Ligjeve, që u zhvillua te salla e byrosë, morën pjesë dhe përfaqësues të partive të vogla, që kontestuan fuqishëm nismën për ndryshimin e Kushtetutës. Ceka i PAD-së deklaroi që duhen të jepen arsyet se pse shmanget komisioni i posaçëm për Reformën Zgjedhore. Ndërsa Braho i LSI-së e cilësoi si një masakër nismën e metodën që po veprohet me ndryshimin e Kushtetutës. Në të njëjtën kohë ai kontestoi dhe nismën e PD-së për shfuqizimin e neneve kushtetuese për KQZ-në. Edhe Madhi ka kërkuar që republikanët të kenë të drejtën për të paraqitur dhe ato amendamentet e tyre. Deputeti republikan, Madhi nuk shprehu votën e tij kundër kësaj nisme. Ndërsa deputeti i PBDNJ-së, Spiro Peçi ka deklaruar votën kundër këtyre ndryshimeve, duke i cilësuar si të padrejtë prekjen e Kushtetutës për sistemin e zgjedhjeve. Kontestimet kanë ardhur edhe nga përfaqësues të partive të vogla si Arian Starova i PBDL-së, Frrok Gjini i PDK-së. Pas këtyre qëndrimeve të përfaqësuesve të partive të vogla që ka zgjatur mbi një orë e gjysmë, radha i ka ardhur relatimeve. Dy relatuesit, Xhafaj dhe Trashani kanë paraqitur opsionet e tyre për nismën e paraqitur për ndryshimin e Kushtetutës. Pastaj procesi ka nisur me pyetjet e përgjigjet dhe më pas, kryekomisioneri Fatos Beja ka ndërprerë mbledhjen duke plotësuar dhe kërkesën e deputetit të LSI-së, Braho për të pasur kohë për t’u njohur më konkretisht për nismën e paraqitur. Ndërsa mbledhja e ardhshme është e lënë e pacaktuar se kur do të realizohet, por pritet që komisioni i Ligjeve të mblidhet nga java e ardhshme.

Ndryshimet e Kushtetutës

Varianti i Trashanit
Neni 1
a.    Neni 64 ndryshohet si vijon
1.    Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur mbi bazën e sistemit zgjedhor proporcional me zona zgjedhore shumemërore.
2. Zona zgjedhore shumemërore përputhet me ndarjen administrative të një prej niveleve të organizimit administrativo-territorial.
3.    Kriteret dhe rregullat për zbatimin e sistemit zgjedhor proporcional, për caktimin e zonave zgjedhore dhe për numrin e mandateve për secilën zonë përcaktohen në ligjin “Për zgjedhjet”.
(njësoj e njëjtë me PS-në)

Neni 65
1. Kuvendi zgjidhet për katër vjet
2. Mandati i Kuvendit fillon me mbledhjen e parë të tij pas zgjedhjes dhe përfundon ditën e mbledhjes së parë të Kuvendit të ri.
3. Zgjedhjet për Kuvendin zhvillohen në periudhën zgjedhore më të afërt, me të njëjtën datë të të njëjtin muaj të vitit të katërt, me datën e mbledhjes së parë të Kuvendit.
4. Në rast shpërndarjeje të Kuvendit, para përfundimit të mandatit të plotë, zgjedhjet thirren jo më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes së tij.
5. Ligji zgjedhor përcakton periudhat zgjedhore dhe rregullat për thirrjen e zgjedhjeve për Kuvendin.
6. Kuvendi nuk mund të nxjerrë ligje gjatë periudhës 60 ditë para mbarimit të mandatit të tij, deri në mbledhjen e parë të Kuvendit të ri, me përjashtim të rasteve të vendosjes së masave të jashtëzakonshme.

Neni 68
1. Kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike, koalicionet zgjedhore të partive, si dhe nga zgjedhësit. Një kandidat mund të paraqitet vetëm në një zonë zgjedhore dhe vetëm për një nga subjektet propozuese sipas kësaj pike.
2. Në rast se kandidatët paraqiten me lista shumemërore, renditja e kandidatëve në këto lista nuk mund të ndryshohet pas paraqitjes së listës në komisionin zgjedhor përkatës. Ligji zgjedhor përcakton rregullat për regjistrimin e kandidatëve.
3. Në ligjin “Për zgjedhjet” përcaktohen edhe kriteret dhe rregullat e tjera të nevojshme për organizimin dhe zhvillimin e fushatës zgjedhore, administrimin, vlefshmërinë e zgjedhjeve dhe shpalljen e rezultatit të tyre.

Pjesa e 12 e Kushtetutës, KQZ-ja shfuqizohet

Amendamenti i LSI-së
Neni 64
1)    Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë të zgjedhur mbi bazën e sistemit zgjedhor proporcional, mbi bazë të rajoneve zgjedhore, të cilët krijohen mbi bazën e një numri të përafërt zgjedhësish.
2)    Caktimi i zonave zgjedhore bëhet me ligj të veçantë mbi bazën e një numri të përafërt zgjedhësish.
3)    Partitë që marrin më pak se 2,5 % të votave dhe koalicionet partiake që marrin më pak se 4% në të gjithë vendin, nuk përfitojnë mandat.

debatet

Neritan Ceka, PAD

“Ndryshimet në Kushtetutë nuk mund të diskutohen në këtë komision. Çfarë i mbetet komisionit të Reformës Zgjedhore për të bërë atëherë? Çdo ndryshim që ka të bëjë me reformën duhet të jetë pjesë e komisionit të posaçëm. Nuk mund të dublohet një komision i tillë. Një paketë konsensuale mund ta bëjnë vetëm të gjitha partitë politike së bashku, jo kështu në mënyrë të njëanshme. Kjo metodë që ju po zgjidhni është alarmante, nuk mund ta bëni kështu reformën zgjedhore. Nga 1998 e deri më sot të paktën kështu e kemi bërë, kemi arritur në marrëveshje”.

Arian Madhi, PR

“Procedura e zgjedhur për t’i sjellë këto propozime këtu është e rregullt, por ky nuk është komisioni i duhur për t’i diskutuar këto. Çdo ndryshim duhet të jetë pjesë e shqyrtimit në komisionin e Reformës Zgjedhore, ku ka një përfaqësim të gjerë politik, jo si në këtë komision. Ndaj propozime të tilla nuk duhet të jenë pjesë e punës së këtij komisioni. Urdhëroni t’i diskutojmë në tavolina të gjera ku bëjnë pjesë të gjitha forcat politike. Edhe ne kemi propozimet tona, që duhet të merren në shqyrtim. Nuk duhet të vazhdohet me mënyra të tilla të njëanshme”.

Spiro Peçi, PBDNJ

Zgjedhja për të ndryshuar Kushtetutën, jo se i përkas atyre që Kushtetuta është tabu dhe nuk duhet ndryshuar, ajo duhet ndryshuar aq herë dhe praktika dhe koha që po zbatohet tregon se nene të veçanta të saj pengojnë zhvillimin shoqëror, ekonomik, politik, aq herë sa një nen i caktuar i Kushtetutës ka paqartësi në zbatimin e saj, se ka impakte të caktuara në zhvillimin tërësor të shoqërisë. Por të mendosh të ndryshosh sistemin zgjedhor, pa dhënë asnjë argument se ku i ka mangësitë ky sistem zgjedhor, por të thuash mangësitë që burojnë nga keqzbatimi i Kodit Zgjedhor, nga ligjet, mua më duket se është e pajustifikuar, prandaj edhe unë shpreh votën time kundër për këtë projektligj.

Spartak Braho, LSI

"Kastriot Islami është autori i kësaj masakre që po tentohet të bëhet me zgjedhjet. Ndryshimet duhet të jenë pjesë vetëm e diskutimeve në komisionin e posaçëm të reformës zgjedhore. Eshtë e nevojshme të bëhet një proces ligjor dhe transparent. Unë kërkoj shtyrje në mënyrë që ndryshimet në Kushtetutë të vijnë si një paketë bashkë me ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Kjo që ju po bëni vërteton vetëm marrëveshjen që ne gjithnjë kemi denjuar mes Ramës e Berishës. Eshtë një atentat kundër kushtetutës. Këto ndryshime që keni sjellë duan kohë të shqyrtohen e diskutohen".

Fatos Beja, PD

Nëse jeni dakord në përputhje me propozimet e zotit Braho, vijojmë në mbledhjen e ardhshme, për të pasur atë kohë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›