E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Vila 6”, Ministria e Jashtme pretendon se s’u lajmërua në kohë

Pas publikimit nga “Panorama” të dokumenteve të ofruara nga pronarët e truallit të “Vilës 6”, aty ku Ministria e Jashtme ka përcaktuar të sjellë ambasadën e Kosovës, shteti ka reaguar zyrtarisht.

Ferdinand Dervishi

 Ministria e Jashtme, me anë të një komunikate për shtyp, sqaron se, “Vila 6” është ende pronë e shtetit shqiptar dhe kjo vërtetohet me Certifikatën e Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme, lëshuar nga zyra përkatëse më datë 03 mars 2008. Sipas saj, prona gjendet në zonën kadastrale 8270, me sipërfaqe 1607.5 metra katrorë. Sipas Ministrisë së Jashtme, ajo është vënë në dijeni për njohjen e të drejtës së pronësisë së truallit të “Vilës 6” nga pronarët e ligshim vetëm më 01.11.2007, nëpërmjet një komunikimi zyrtar të Ministrisë së Ekonomisë. Sipas MPJ-së, po me këtë vendim, subjektit të shpronësuar të truallit i është njohur e drejta e parablerjes për objektet që ndodhen në këtë truall. Komunikata thotë se, vendimi i Zyrës Rajonale të AKKP-së, Qarku Tiranë, i është bërë i njohur MPJ-së pas katër muajsh, duke i hequr asaj çdo mundësi ankimimi në gjykatë. Në këto rrethana, MPJ-ja nëpërmjet Drejtorisë Shtetërore të Trupit Diplomatik, i ka kërkuar Gjykatës së Rrethit Tiranë rivendosjen në afat të kundërshtimit të vendimit nr. 137. Me kërkesë të MPJ-së, në këtë proces është angazhuar edhe Avokatura e Shtetit, e cila sqaron se vendimi nr. 137, i është vënë në dispozicion vetëm në datën 13.03.2008, rreth 8 muaj pas marrjes së vendimit. Kjo zyrë ka ushtruar ankim administrativ në AKKP, duke kërkuar verifikimin dhe shfuqizimin e vendimit nr. 137. Sipas të njëjtit komunikim, Ministria e Jashtme thotë se, është në pritje të përfundimit të procedurave ligjore dhe se i ka kërkuar Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme pezullimin e çdo veprimi tjetër. Po kështu MPJ-ja premton se do të shfrytëzojë të gjitha mundësitë për të gjetur një zgjidhje të kënaqshme me pronarët e truallit, në zbatim të legjislacionit në fuqi.
Pronarët: MPJ-ja është e gabuar
Pasi mësuan përmbajtjen e deklarimit zyrtar të Ministrisë së Jashtme, pronarët e ligjshëm të truallit të “Vilës 6”, i pohuan “Panorama”-s se, gjithçka e shkruar aty është e gabuar. Sipas tyre, në njoftim thuhet se, “Ministria e Jashtme është vënë në dijeni për njohjen e të drejtës së pronësisë së truallit të “Vilës 6” nga pronarët e ligshim vetëm më 01.11.2007, nëpërmjet një komunikimi zyrtar të Ministrisë së Ekonomisë”. Por për pronarët ky pohim është ligjërisht i gabuar, pasi Ministria e Ekonomisë i ka kërkuar MPJ-së prononcim për fillimin e privatizimit në zbatim të legjislacionit në fuqi dhe se nuk është detyrë e saj të njoftojë Ministrinë e Jashtme për vendime të ngjashme. Sipas juristit Ritvan Resuli, i cili është njëkohësisht edhe bashkëpronar i truallit të trashëguar të “Vilës 6”, ligji dhe VKM nr. 51 i datës 07.02.2007 përcaktojnë qartë subjektet apo institucionet shtetërore që vihen në dijeni me vendimet e marra nga Zyra Rajonale e AKPP të Qarkut, të cilët janë: Kërkuesi, Avokatura e Shtetit, AKKP-ja, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Më tej sipas pronarëve të truallit të “Vilës 6”, në deklaratë thuhet se, MPJ-ja është lajmëruar vetëm 4 muaj më pas, në një kohë që sipas tyre, Zyra Rajonale e AKPP-së së Qarkut nuk e ka për detyrë të lajmërojë Ministrinë e Jashtme. Por, Ministria e Jashtme, sipas të njëjtëve, edhe pas 4 muajsh që thotë se, ka marrë dijeni nga Ministria e Ekonomisë, nuk ka bërë ankimim zyrtar, pasi nuk ka të drejtë ligjore. Këtë të drejtë ligjore kanë vetëm institucionet që njoftohen me vendimet e Zyrës Rajonale të AKPP-së së Qarkut, sipas nenit 18 të ligjit 9235 (të ndryshuar). Pronarët e truallit të “Vilës 6” konfirmojnë se, Drejtoria e Shërbimit të Trupit Diplomatik ka paraqitur dy padi, më 12 shkurt 2008, Gjykatës së Tiranës, për anulimin e vendimit 137 të datës 02.07.2007 të Zyrës Rajonale të AKPP-së së Qarkut Tiranë dhe një tjetër padi më 26 shkurt 2008, më anë të së cilës kërkon rivendosje në afat. Por për të dyja këto padi civile të drejtuara gjykatës, vetë Drejtoria e Shërbimit të Trupit Diplomatik, e ndihmuar dhe nga Avokatura e Shtetit, në mënyrë të turpshme, ka kërkuar pushimin e gjykimit. Kjo sepse me kalimin e kohës ka kuptuar se nuk është pronar, por vetëm posedues i pronës dhe në këtë rast nuk mund të përfaqësojë shtetin për kalim kapital të pronësisë, atribut të cilin e ka Avokatura e Shtetit. 
Më tej, për momentin ku thuhet se “MPJ-ja i ka kërkuar Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme pezullimin e çdo veprimi tjetër”, pronarët thonë se, ky veprim është ndërmarrë vetëm prej tyre, madje janë dy kërkesa që mbajnë datat 10 dhe 14 mars 2008. Në këtë pikë pronarët shtojnë se, duan të sqarojnë Ministrinë e Jashtme edhe njëherë se, “kjo pronë është regjistruar në zbatim të ligjit në fuqi, ligji 7843 “Për Regjistrimin e Pasurive të Paluajtshme, neni 24 dhe 38”. Po kështu pronarët e ligjshëm thonë se, pas dy muajsh që nga publikimi i faktit se “Vila 6” është destinuar t’i jepet nga shteti si ambasadë qeverisë së Kosovës, nuk ka pasur asnjë tentativë nga Ministria e Jashtme për të kontaktuar pronarët. “Të parët tanë, por edhe ne trashëgimtarët që jetojmë të ‘Vilës 6’, kemi bërë në kohë të largëta dhe të afërta më shumë për Kosovën sesa njerëzit që po merren me këtë veprim të paligjshëm. Por në emër të dashurisë për Kosovën, nuk ka asnjë logjikë që të lejon të nëpërkëmbësh ligjet dhe njëkohësisht qytetarët e vendit tënd”, përfundojnë pronarët prononcimin e tyre.  

Pronarët: Pse u detyruam të bëjmë konfliktin publik

Pronarët e ligjshëm të truallit të “Vilës 6” pohojnë teksa kanë dëgjuar se bëhet fjalë për një dhuratë për vëllezërit tanë kosovarë, nuk kanë dashur asnjëherë që e vërteta e konfliktit të tyre të bëhet mediatike. Për këtë qëllim ata kanë tentuar të komunikojnë me personazhe të ndryshëm të fuqishëm të shtetit, si dhe me institucione të tij. Fillimit, me të dëgjuar më 23 shkurt se “Vila 6” do i jepej qeverisë së Kosovës për ambasadë, ata i kanë nisur një SMS Kryeministrit, më tej të njëjtit, Presidentit shqiptar, ministrit të Jashtëm dhe atij të Ekonomisë u janë nisur letra zyrtare ku sqarohej problemi i pronësisë. Por të gjitha këto letra duket janë hedhur në kosh. “Duke qenë se prej 5 muajsh, që nga fillimi i nëntorit 2007, askush nuk na dëgjon, atëherë u detyruam të komunikonim me mediat”, thonë trashëgimtarët e ligjshëm të kësaj prone. Sipas të njëjtëve në rastin e tyre kanë vënë re një indiferencë të madhe të institucioneve të shtetit për të zbatuar ligjin duke u detyruar të bënin një zgjidhje që nuk e kishin dëshiruar aspak.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›