E Diel, 1 Nëntor 2026

Prishtinë, 400 milionë euro për ndërtesën më të lartë

Dje në Prishtinë është nënshkruar një marrëveshje me vlerë prej 400 milionë euro, i cili është investimi më i madh në këtë vend deri më sot.

“ENK Invest Group” ka nënshkruar një kontratë me kompaninë kroate “Konstruktori”, nga Spliti për ndërtimin e kompleksit banesor-afarist prej 44 katesh, në lagjen “Lakrishte” të Prishtinës, ku do të punësohen mbi 2000 punëtorë për realizimin e këtij projekti. Përfaqësuesit e kompanisë, gjatë prezantimit të projektit, që u bë në “Sheshin 21” thanë se, projekti pritet të përfundojë brenda gjashtë vjetësh. Dje u vendos gurthemeli për realizimin e këtij objekti. Ndërtesa do të ketë qendër tregtare, hotele me pesë yje, banesa luksoze, lokale afariste dhe zyra administrative. Edmond Kërliu pronar i kompanisë “ENK Invest Group” tha se, ky investim do të ndërrojë imazhin e kryeqytetit dhe do të krijojë edhe mundësi për zhvillime ekonomike. Objekti do të jetë ndër më të mëdhatë në këtë pjesë të Evropës, si dhe investimi më i madh deri tani nga kompanitë private në Kosovën e pasluftës. Ndërkaq punimet do të kryhen nga kompania “Konstruktori” e Kroacisë. Drejtuesi i kësaj kompanie, Zhelko Zderiq tha se është i lumtur që ka nënshkruar këtë kontratë me logon Republika e Kosovës dhe ky projekt do ta ndihmojë Kosovën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›