“Rama ofron alternativën e Enverit”
• Partia Demokratike reagoi dje përmes zëdhënësit të saj, Gerti Bogdani, për turin në rrethe të kreut të socialistëve, Edi Rama.Duke iu referuar ndalesës së fundit të Ramës në Lushnjë, zëdhënësi i PD-së, tha se kreu i socialistëve po ofron vetëm alternativën e ndryshkur të së shkuarës për fermerët. "Në përmbajtjen e enciklikes së tij, Rama u tha fermerëve se ju sot eksportoni vetëm 1/6 e asaj që eksportohej në kohën e Enverit. I kujtojmë z. Rama, se vërtet Enveri dhe Caushesku eksportonin çdo prodhim bujqësor si ushqim për popujt e tjerë, por për vete kishim triska dhe tollona. Sot ato konsumojnë jo vetëm prodhimet e tyre, por prodhime nga e gjithë bota. Eshtë e qartë që z. Rama po zhvillon doktrinën e ndryshkut dhe ofron vetëm alternativën e ndryshkur të së shkuarës", u shpreh Bogdani. Duke iu referuar termit 'enciklikë' të përdorur nga lideri i socialistëve, Bogdani theksoi, se "ne informojmë shqiptarët se enciklika sipas të gjithë fjalorëve dhe enciklopedive të botës, është letra pastorale që Papa u dërgon priftërinjve katolikë dhe besimtarëve të tij për çështje të doktrinës, moralit dhe çështje sociale. Në liturgjinë e kishës ortodokse dhe asaj anglikane për këtë letër ka një term tjetër".