PS: Prefekti i ri Tiranës, shok i Shkëlzen Berishës
TIRANË- Sali Berisha emëron Prefekt të Tiranës, shokun e ngushtë të të birit. Faktin e denoncon sot Partia Socialiste e cila e akuzon Kryeministrin se po e përdor pushtetin në mënyrë nepotike, klienteliste dhe korruptive.
Deputeti, Sajmir Tahiri u shpreh se "është tashmë e qartë për të gjithë se shteti shqiptar dhe qeveria e shërbimit e shërbesave është nënshtruar tërësisht në shërbim të Shkëlzenit, Argitës, Rrahmanit, e çdo sekseri tjetër që i bindet verbërisht interesave korruptive të Sali Berishës dhe familjes së tij".
Më tej ai argumentoi se shqipëria mbahet peng nga fëmijët dhe familjarët e kryeministrit ndërkohë që institucionet publike, ministritë, policia, dogana dhe gjithçka varet nga Kryeministri, janë vënë në shërbim të interesave pasurore të një grushti njerëzish që përveç lidhjes së gjakut i lidhin tashmë dhe interesat klanore për të vjedhur pasuritë e shqipërisë dhe shqiptarëve.
Pas Gërdecit, ku Shkëlzen Berisha ishte arkitekti kryesor i sipërmarrjes vdekjeprurëse, pas skandaleve të njëpasnjëshme ku Argita Berisha ka qënë dhe mbetet paradhoma e taksës familjare, Sali Berisha vazhdon praktikat e atij që është peng i pushtetit korruptiv të fëmijëve të tij, duke emëruar Prefekt të Kryeqytetit një njeri që kontribut të vetëm ka shoqërinë e mirë me Shkëlzenin dhe Rrahmanin.
Partia Socialiste është e vendosur të demaskojë në sytë e publikut këto praktika nepotike dhe korruptive. Pushteti feudal e klanor i Sali Berishës do marrë fund një herë e mirë së bashku me pushtetin paralel të Shkëlzenit, Argitës, Rrahmatit e të gjithë atyre që kanë guxuar e vazhdojnë ende të kafshojnë e rrjepin pasurinë e shqiptarëve për llogari të xhepave të tyre.
Ikën Keçi, Keltis Kruja, Prefekti i ri i Tiranës
dt. 19 gusht
TIRANË - Keltis Kruja, është nga sot Prefekti i ri Tiranës dhe më i riu në historikun e drejtuese të qarkut, vetëm 32 vjeç. Ai zëvendësoi në këtë detyrë Ruzhdi Keçin, i cili u dorëhoq për arsye personale. Prefekti i ri vjen nga strukturat drejtuese të partisë, ku është Sekretar i Përgjithshëm i Forumit Rinor të Partisë Demokratike. Ndërkohë që ka bërë edhe detyrën e drejtorit të Auditit në Ministrinë e Brendshme. Siç thuhet në faqen zyrtare të PD-së, Kletis Kruja ka lindur në Tiranë në vitin 1979 dhe ka përfunduar studimet e larta për Drejtësi në vitin 2003. Në listat e kandidatëve për deputetë PD-ja e rendiste atë të parafundit (nr.31) për qarkun e Tiranës.
Prefektin e ri e prezantoi sot zv/ministri i Brendshëm Ferdinand Poni dhe ish-prefekti i Tiranës, Keçi. Ish-prefekti që mbajti këtë post për 4 vjet, u shpreh se "në kulturën tonë demokratike ngjarje të tilla të ndërrimit të funksioneve janë gjëra normale, dhe këtë ndryshim e kuptoj si një ambicie dhe qëllim të mazhorancës për të përmirësuar dhe dhënë një shtysë më të fuqishme premtimeve që ka mbajtur dhe që padyshim do të realizojë në katër vitet e ardhshme". Ndërsa Poni, shprehu bindjen se "Kruja do të vazhdojë punën me ritme më të larta dhe ambicioze në prefekturën e Tiranës".