E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Protesta te pandalshme per te larguar Berishen

TIRANE- Pesë ditë nga protesta e parashikuar të zhvillohet nga opozita në Tiranë deputeti Blendi Klosi ripërsëriti apelin për të gjithë qytetarët që më 30 prill të bashkohen të gjithë së bashku në bulevardin e Tiranës në një protestë të pandërprerë deri në largimin e këtij pushteti “ilegjitim.”- sic e quajti deputeti socialist Blendi Klosi.

Në një prononcim për shtyp nga selia rozë, deputeti socialist bëri apel për të protestuar për premtimet e pambajtura të kryeministrit, rritjes së cmimeve dhe “të kësaj qeverie që nuk punon për shqiptarët, por për pasurimin e një klike pushtetarësh e familjarësh.”

“Sali Berisha na flet për arritje e për rritje ekonomike, por në më pak se një vit ai ka rritur vetëm papunësinë e varfërinë e dëshpërimin. Plot 160.000 vende pune premtoi Sali Berisha në fushatë, por në më pak se një vit ai ia doli të nxjerrë në mes të katër rrugëve si të papunë më se 100.000 shqiptarë.

Sali Berisha na flet për rritje rrogash e pensionesh, por gjithë cfarë është rritur në këtë vend është borxhi, cmimet e pamundësia ekonomike... Mbi 2000 dollarë duhet të paguajë sot cdo shqiptar për të shlyer borxhet e abuzimet elektorale të Sali Berishës.”-nënvizoi Klosi.

PS ftoi qytetarët e Durrësit të marrin pjesë në protestën që do të zhvillohet nesër në Durrës dhe paralajmëroi protesta të pandalshme në të gjithë qytetet dhe fshatrat deri në largimin e qeverisë.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›