PS: Qeveria po kërkon të uzurpojë SHISH
“Qeveria po kërkon të uzurpojë SHISH-in”. Ky është qëndrimi i Partisë Socialiste në lidhje me tentativën e fundit të demokratëve për të kaluar ligjin ‘Për Shërbimin Informativ Shtetëror’ të ndryshuar në seancën e 22 korrikut. Deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Gjoni, njëkohësisht zv.kryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, e quajti rishfaqjen e amendimeve në ligjin organik të këtij institucioni si një ‘sulm’ ndaj kryetarit të Shërbimit Informativ Shtetëror. “Nuk është vetëm largimi, për mendimin tim situata është shumë e rëndë. Jam i bindur se reagimi i opinionit publik, i opozitës dhe i partnerëve ndërkombëtarë do të jetë shumë i ashpër, shumë i rëndë. Ne e gjykojmë se kjo ishte një rrugë e tërthortë, që mazhoranca të ushtronte kontroll ndaj këtij ligji”, u shpreh Gjoni. Si një prej anëtarëve të Komisionit të Sigurisë, deputeti Ilir Gjoni theksoi se ndaj SHISH-it po bëhet një luftë e hapur dhe jo e ndershme në tentativë për ta uzurpuar atë. Në të njëjtën linjë kontrolli deputeti socialist sheh edhe shkurtimet në buxhetin e Shërbimit Informativ Shtetëror, të cilat ia bëjnë, sipas tij, të pamundur funksionimin. Janë dy projektligjet në Kuvend që lidhen me Shërbimin Informativ Shtetëror, njëri që ka të bëjë me marrëdhëniet e tij me Kuvendin dhe tjetri që kundërshtohet nga opozita, me organizimin e tij.
#