Topalli: Ramiz Alia, ndër figurat biblike më të urryera
Masakra e Tivarit përplas në Kuvend dyshen Topalli-Ruçi. Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, kërkoi një minutë heshtje për të kujtuar dhe nderuar këtë tragjedi, ndërsa kryeparlamentarja Topalli tha se më parë grupi i PS-së të sjellë emrat për ngritjen e komisionit dhe më pas të mbajmë një minutë heshtje. Deputetët socialistë janë treguar të pabindur dhe janë ngritur në këmbë për të mbajtur një minutë heshtje dhe më pas kanë marrë të gjithë në grup replikën e kryeparlamentares Topalli, që e ka shfryrë gjithë inatin e saj mbi figurën e Ramiz Alisë. “Disa parti kanë nënën komuniste. Kuvendi i Shqipërisë mban një përgjegjësi shumë të madhe për të hetuar, për të hedhur dritë mbi tragjedinë dhe mbi një ndër masakrat më të rënda. Ishte rasti zoti Ruçi për të mos u ndarë, për të hetuar këtë masakër, dyshimet e së cilës bien mbi Ramiz Alinë. Ndër figurat
biblike më të urryera”, theksoi Topalli. Nga ana tjetër, kreu i grupit të PS-së tha se përgjegjësit t’i gjejë Kosova. "Bashkëkombësit tanë më së fundi kanë një shtet të tyre, në të cilin kanë gjithë sovranitetin të organizojnë dhe të ndërmarrin nisma e të vendosin për fatin e shtetasve të tyre, qoftë për historitë e vjetra, apo për ato të reja. Ju kërkoj të mos bëni politikë me jetën e të masakruarve të kombit tonë", deklaroi Ruçi. Replika e kryeparlamentares Toopalli ishte: “është më mirë krimineli që del përballë sesa të fërkosh duart. është një ngjarje për të cilën do të ketë përgjegjësi kombëtare. Nuk është mirë të ngrihesh në këmbë dhe të mos pranosh të hetosh. Nuk është mirë të kërkosh një minutë heshtje në hipokrizi dhe të mos i bashkohesh një iniciative. Ne nuk e dimë sa mundësi do të kemi, sa mundësi do gjejmë, por vullneti është i rëndësishëm”. Parlamenti e miratoi dje ngritjen e komisionit për masakrën e Tivarit. Opozita nuk mori pjesë në votim, ndërsa LSI-ja votat e saj i përktheu në abstenim. Ngritja e komisionit mori 69 vota pro dhe 3 abstenim.