E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Rritja e pagave, gënjeshtër e radhës

TIRANë- Partia Socialiste reagoi sot pas deklaratës së Kryeministrit Sali Berisha, i cili tha se rritja e rrogave dhe pensioneve do të vazhdojë për sa kohë shqiptarët i japin atij votën. Sipas deputetes Mimi Kodheli, rritja e pagave dhe pensioneve me 10% është thuajse e pamundur të realizohet pasi arka e shtetit është bosh.
“Nuk ka gjë më dëshpëruese për një vend, sesa kur drejtohet nga një kryeministër që zgjedh t’u përgjigjet halleve e problemeve të popullit jo me punë e masa konkrete, por me mashtrime e me propagandë boshe. Kjo është pikërisht ajo që bëri dje në mbledhjen e kabinetit Kryeministri i Ruzhdies kur u premtoi shqiptarëve rritje rrogash e pensionesh në masën 10%.
Ne nuk presim që Sali Berisha tu shpjegojë shqiptarëve se nga do të vinë paratë për këtë rritje rrogash në një kohë që arka e shtetit është bosh dhe situata ekonomike financiare e Shqipërisë të zhytur në borxhe veç sa vjen e po rëndohet” - theksoi Kodheli.

Mimi Kodheli ka shtuar më tej se hera e fundit kur Berisha ka rritur rrogat ka qënë para zgjedhjeve të 28 qershorit, por edhe këto u pasuan me rritjen e cmimeve dhe të energjisë.
“Hera e fundit që Sali Berisha rriti rrogat e pensionet, qe para zgjedhjeve të 28 qershorit, dhe të gjithë ne jemi sot dëshmitarë të mënyrës spektakolare sesi u mbajt ky premtim: rritja modeste u zerua nga rritja skandaloze e çmimit të energjisë, nga rritja e papërballueshme e çmimit të ushqimeve, nga shtrenjtimi i shërbimit shëndetësor” – nënvizoi deputetja e PS.

Deputetja socialiste thekson edhe një herë se rritjaq e rrogave me 10% është e pamundur të bëhet dhe njëhohsisht e pamjaftueshme për të përballuar nevojat minimale të familjeve shqiptare në këtë situatë të shtrenjtimit të gjithanshëm të jetesës.
“Kryeministri i Ruzhdies deklaroi se rritja e rrogave dhe pensioneve do të vazhdojë për sa kohë shqiptarët i japin atij votën, por Sali Berisha me një dorë të jep dhe me të dyja duart të merr. Rritja e pagave dhe pensioneve me 10% jo vetëm që është thuajse e pamundur të realizohet pa dëmtuar edhe më tej ekuilibrat, tashmë të cënuar rëndë, makroekonomikë të vendit, por ajo është edhe e pamjaftueshme për të përballuar nevojat minimale të familjeve shqiptare në këtë situatë të shtrenjtimit të gjithanshëm të jetesës për të cilën i detyrohemi zotit Berisha” – tha Kodheli.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›