E Diel, 1 Nëntor 2026

Cdo qytetar mbi 18 vjec do plotësojë deklaratën e të ardhurave

TIRANE- Të gjithë qytetarët do të jenë të detyruar që një herë në vit të plotësojnë deklaratën e të ardhurave personale, në të cilën do të deklarojnë të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet që bëjnë.
Pasi ato të tatohen do të përcaktohet nëse administrata tatimore do të rimbursojë qytetarët në rastin kur kanë paguar më shumë taksa apo e kundërta. Projekti i lancuar një ditë më parë në mbledhjen e qeverisë nga kryeministri Berisha ka nisur të diskutohet nga grupi i punës dhe pritet që së shpejti të nisë zbatimi.

“Cdo qytetar mbi 18 vjec, shtetas rezident i Republikës së Shqipërisë detyrohet që të deklarojë të ardhurat e tij vjetore, shpenzimet bazë të tij dhe konform tyre ti nënshtrohet rregullave fiskale. është një grup pune që është ngritur në Ministrinë e Financave dhe do të shoqërohet me një ligj. Në këtë ligj do të jenë të detajuara mënyrat e klasifikimit që nga të ardhurat dhe nga krahu tjetër një klasifikim i shpenzimeve të cilat natyrisht janë ligjvënësit që do ti klasifikojnë si të zbritshme apo të pazbritshme. ” theksoi Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Artur Papajani.

Drejtori i Tatimeve shpjegon gjithashtu se zbatimi i këtij projekti është një kërkesë e Bashkimit Europian , e parashikuar në marrëveshjen e stabilizim asociimit.

(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›