E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Socialistët evropianë në KiE kërkojnë hapjen e kutive

Strasburg, 27 Janar NOA - Deputetët e Partisë
Socialiste Arta Dade, Taulant Balla dhe Arben Ahmetaj me ftesë të Grupit
Socialist në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës po zhvillojnë disa
takime me përfaqësuesit më lartë të grupeve politike dhe të Komiteteve të
Asamblesë.

Në ditën e parë të vizitës deputetët
socialistë morën pjesë në mbledhjen e Grupit Socialist ku bënë një prezantim të
detajuar të krizës politike në Shqipëri pas zgjedhjeve të përgjithshme të 28
qershorit.

Sikurse raporton zyra për shtyp e PS në Tiranë,
kryetari i Grupit Socialist Andreas Gross i cili do të flasë në emër të këtij
grupi edhe në seancën plenare ku do të zhvillohet debati për Shqipërinë u
shpreh në këtë takim se pa asnjë mëdyshje që qëndrimi ynë si socialistë
europianë është në mbështetje të Partisë Socialiste dhe se ne do të përdorim të
gjithë mekanizmat dhe mundësitë për një zgjidhje sa më të shpejtë të krizës në
Shqipëri, duke garantuar një përfaqësim të lartë të grupit socialist në
Komitetin e Presidencës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit që do të vizitojë
shumë shpejt Shqipërinë.

Grupi Socialist mbështeti kërkesën e Raportit
për Shqipërinë për një hetim të plotë të zgjedhjeve në Shqipëri pa kushtëzuar
të drejtën e hapjes së kutive.

Duke marrë fjalën në këtë takim ish-zëvendëskryeministri
britanik John Prescot theksoi se gjithçka ka ndodhur në Shqipëri me zgjedhjet
dhe procedurat gjyqësore postzgjedhore është një kopje e Armenisë, pra nuk ka
asnjë dyshim se ka patur manipulime dhe ndryshim të vullnetit të zgjedhësve. Ne
nuk duhet të lejojmë që kriza në Shqipëri të përshkallëzohet sikurse ndodhi
edhe në Armeni, ku situata degradoi në konflikt dhe humbje jetësh njerëzore.

Deputetët socialiste Dade, Balla dhe Ahmetaj
patën një takim të veçantë edhe me raporterin për Shqipërinë Jaakko Laakso me
të cilën ndanë të njëjtat mendime se raporti i përgatitur prej tij dhe z. Wilshire,
i cili është miratuar nga Komiteti i Monitorimit, është një vlerësim korrekt i
krizës politike.

Ata dakorduan se Rezoluta që buron nga ky
raport është një dokument i rëndësishëm mbi bazën e të cilit të gjitha palët
marrin përgjegjësitë për një zhbllokim sa më të shpejtë të krizës politike dhe
institucionale.

Gjithashtu deputetët socialistë zhvilluan
takime me drejtues dhe përfaqësues të grupeve të tjera politike në Asamble
sikurse me liberalët apo demokratët. Deputetët socialistë shkëmbyen mendime për
situatën e krijuar me delegacionin shqiptar në Asamble edhe me ish-ministren e Jashtme
të Greqisë Dora Bakojanis.

e.r/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›