PS: Vetëm dorëheqja e Metës nuk pastron imazhin e pushtetit

Deputetja Socialiste Vasilika Hysi theksoi edhe njëherë se vetëm dorëheqja e Ilir Metës nuk është e mjaftueshme për të pastruar imazhin e pushtetit të zgjedhjeve të vjedhura. Sipas Hysit qeveria është fajtore për vjedhjen të kthyer në sistem sundimi, e ndaj këtij pushteti e kësaj vjedhjeje do të dalin në shesh të gjithë shqiptarët në 21 Janar.
"Sot më tepër se kurrë vendi ka nevojë që të gjithë të ngrihemi në këmbë kundër këtij pushteti të paturpshëm hajdut, i cili vodhi zgjedhjet për të vjedhur Shqipërinë e xhepat e gjithsecilit dhe vazhdon të vjedhë përsëri. Sot nën pushtetin e bllokut të pisllëqeve, shqiptarët nuk mund të pretendojnë as integrimin, as demokracinë, as liritë, pasi jo vetëm këto, por gjithçka po ju grabitet përditë mes tenderësh të fëlliqur që mbushin xhepat e ministrave. Ky pushtet i vjedhur po grabit të ardhmen e të gjithëve, mes vjedhjes të kthyer në sistem sundimi e kërcënimi" theksoi Hysi duke shtuar se nga Këshilli i Ministrave është larguar Ilir Meta, por aty ka mbetur blloku i pisllëqeve mbi tavolinën ku ulet sikur të mos ketë ndodhur asgjë, koalicioni i hajdutëve.
Ajo gjithashtu theksoi se në qoftë se kjo qeveri zullumqare e hajdute rri në këmbë, largimi i Metës kthehet në leje të zakonshme duke shtuar se nesër të njëjtët hajdutë do të kërkojnë e arrijnë të ngrihen përsëri, për të vjedhur akoma edhe më shumë tendera publikë e taksa, biznese e portofol privatë, liri e të drejta nga shqiptarët që nuk i kanë votuar në 20 vjet.
"Në 21 Janar të gjithë duhet të dalim në demonstratë për të tashmen e të ardhmen tonë. Duhet të dalim për të treguar se vjedhja e kthyer në sistem nuk është ajo ç`ka shqiptarët duan nga shteti i tyre; për t`i treguar këtij pushteti e kujtdo që të guxojë se shqiptarët nuk mund të pranojnë vjedhjen publike, nuk pranojnë që hajdutët të riciklohen e rikthehen sikur të ishin të pafajshëm. Në 21 Janar në demonstratën e të gjithë shqiptarëve, ne do të ngrihemi kundër sundimit të hajdutëve, për t’i hapur rrugën lirive e të drejtave që na janë vjedhur për 20 vjet. Në 21 Janar të gjithë në shesh kundër blloqeve të pisllëqeve, miqve e klientëve financiare, e mbi të gjitha në shesh kundër heshtjes së pushtetit përpara vjedhjes masive të pasurive të shqiptarëve. Ne nuk do ta ulim kokën! Në 21 Janar do të tregojmë se shteti i së drejtës nuk mund të zëvendësohet kurrë me të drejtën e pushtetit për të vjedhur gjithçka" përfundoi Hysi.