I prishën shtëpinë, gruaja me katër fëmijë tenton vetëflijimin
Kishin shkuar t’i prishnin shtëpinë që e ndërtonte pa leje, kërcënoi se do të vetëfl ijohej bashkë me fëmijët e mitur. Ky ka qenë kulmi i një situate të krijuar dje në një familje në Komunën e Dajtit, kur Inspektorati i Ndërtimit ka shkuar të zbatonte një urdhër për prishjen e ndërtimit pa leje. Inspektorët nuk kanë dashur t’ia dinë as për apelin që gruaja ka bërë për ndihmë dhe as për të qarat e lutjet e fëmijëve. Ngjarja që ndodhi në një prej zonave të Komunës së Dajtit dje, në orët e para të mëngjesit, kur fadromat e Inspektoratit të Ndërtimit kanë shkuar për të prishur një ndërtesë pa leje. Gruaja se bashku me katër fëmijët e mitur është ngjitur në tarracën e ndërtesës ende të papërfunduar, duke kërcënuar se nuk do të zbresë që andej dhe se preferonte të vdiste aty bashkë me fëmijët e saj, pasi nuk kish ku të shkonte, pasi edhe paratë për ndërtimin e banesës i kishte marrë borxh. Por asgjë nuk ka ndalur inspektorët e Ndërtimit, në ndihmë të të cilëve kanë ardhur edhe forca të policisë, të cilët bënë uljen poshtë të fëmijëve. Në një prononcim për mediat, kryeinspektori i zonës, Agim Rama, u shpreh se “ligji do të veprojë ndaj të gjitha ndërtimeve pa leje”. Por gjithçka ishte e kotë, pasi larguan fëmijët nga zona, fadroma nisi prishjen e ndërtesës, edhe pse gruaja qëndronte ende mbi tarracë e mbajtur me forcë nga efektivët e policisë.
#