PS anulon sot takimet elektorale
Partia Socialiste anulon sot çdo aktivitet publik në respekt të familjes, të të afërmve e dashamirësve të deputetit Fatmir Xhindi. Në një njoftim për mediat, Partia Socialiste njoftoi se në ditën e sotme nuk do të bëhen takime elektorale. Ndërkohë, dje në homazhet për nder të deputetit të vrarë Fatmir Xhindi, kanë marrë pjesë të gjithë deputetët e grupit parlamentar të PS-së. Kryetari Rama mbajti edhe fjalimin e lamtumirës. Ai vlerësoi kontributin e gjatë në politikë të Fatmir Xhindit si dhe kërkoi zbardhjen e shpejtë të ngjarjes së rëndë. Të pranishëm në homazhe ishin edhe krerët e shtetit, të cilët shprehën ngushëllimet e tyre për familjarët e afërt. Presidenti Topi, Kryeministri Berisha, kryetarja e Kuvendit, Topalli, ministra, krerë institucionesh etj. zhvilluan homazhe në nderim të deputetit të vrarë. Njëkohësisht, edhe mijëra qytetarë të Roskovecit i dhanë lamtumirën deputetit të tyre të mandatuar tri herë rresht.