Qeveria hap tender për zhurmues në burgje
Qeveria hapi dje tenderin për të blerë dhe montuar sistemin e pajisjeve për bllokimin e valëve të telefonisë së lëvizshme pranë burgjeve në Shqipëri. Nëpërmjet një VKM-je u lëvrua fondi prej 30 milionë lekësh për blerjen dhe montimin e “zhurmuesve” në institucionet e vuajtjes së dënimit. Nisma vjen pas paralajmërimeve të Kryeministrit Berisha dhe ministrit të Drejtësisë, Bujar Nishani, se individë të ndryshëm kriminalë, megjithëse pas shpinë kanë një dënim, vazhdojnë aktivitetin e tyre kriminal, duke drejtuar grupe dhe organizata kriminale nga burgu ku vuajnë dënimin. Shpeshherë kontrollet e personelit të burgjeve shoqërohen me gjetje të sendeve të palejueshme në qelitë e të burgosurve dhe të paraburgosurve. Sendet janë kryesisht celularë dhe brenda burgjeve lulëzon tregtia e tyre. Në disa raste, pranë paraburgimit 313 në Tiranë janë sekuestruar dhjetëra telefona celularë gati për t’u futur në burg. Tashmë masa e qeverisë janë “zhurmuesit”, duke pranuar në heshtje dështimin për kontrollimin e sendeve të palejueshme në qeli.
Sipas vendimit të djeshëm, qeveria vendosi për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve fondin prej 30 000 000 (tridhjetë milionë) lekësh, i vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit, të blejë dhe të montojë sistemin e pajisjeve për bllokimin e valëve të telefonisë së lëvizshme në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale. Sipas vendimit, duhet të përzgjidhen jo më pak se dy operatorëve ekonomikë, të njohur për ofrimin e këtij shërbimi, të cilëve u dërgohet ftesa për ofertë, për realizimin e blerjes e të montimit të pajisjeve për bllokimin e valëve të telefonisë së lëvizshme. Procedura për realizimin e procesit do të realizohet brenda 10 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, ku do të mblidhet Komisioni i Hartimit të Dokumenteve Standarde, me këtë përbërje Ministria e Drejtësisë që do të ketë kryetarin, përfaqësues nga Ministria e Brendshme, nga Ministria për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit anëtar, nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Ky komision do të përcaktojë standardet e pajisjes për bllokimin e valëve të telefonisë së lëvizshme, përzgjedhjen e operatorëve, të cilëve do t’u dërgohet ftesa për ofertë, do të përcaktojë kriteret për vlerësimin dhe për përzgjedhjen e operatorit ekonomik etj.
#