E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS deklaron rifillimin e mitingjeve për kutitë

Partia
Socialiste rikonfirmon qartazi dhe pa asnjë ekuivok se me hetimin e zgjedhjeve
përmes hapjes së kutive nuk synon aspak ndryshimin e rezultatit të zgjedhjeve
në tavolinë e për pasojë as rikonfigurimin e parlamentit aktual

Tiranë, 2 Shkurt NOA/Eglantina Nasi Partia
Socialiste në përgjigje të vullnetit të qindra mijëra shqiptarëve që votuan për
të, në javët në vijim do të organizojë më të madhin miting proteste demokratike
që është organizuar ndonjëherë në historinë e pluralizmit shqiptar. Ky miting
do të ketë vetëm një kërkesë Hap kutitë ose largohu.

Këtë informacion bëri të ditur sot deputeti socialist
Ethem Ruka në një dalje për mediat duke premtuar se tubimi do të jetë me një pjesëmarrje
të gjerë si rrallëherë më parë.Nga ana tjetër, Ruka tha se PS rikonfirmon
edhe njëherë vullnetin e saj për tu ulur në tavolinën e dialogut me PD, nën
drejtimin e Presidentit të Republikës ashtu siç është sugjeruar edhe nga
rezoluta e fundit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.

Kjo tavolinë duhet të ulë përballë zotin Edi
Rama, kryetar i PS dhe zotin Sali Berisha, kryetar i PD dhe kryeministër i
vendit, - deklaroi Ruka.

Sipas tij, një tavolinë me nivele më të ulëta
se drejtuesit e këtyre dy partive nuk do të ishte e pranueshme as për ne, por besojmë
as edhe për faktorin ndërkombëtar, madje nuk do ti shërbente zgjidhjes së
krizës, e cila është konfirmuar tashmë edhe ndërkombëtarisht.

Duke konstatuar se Partia Demokratike, po
dëshmon vullnet negative për pjesëmarrjen në këtë tavolinë dialogu, duke vazhduar
kështu të thellojë edhe më shumë krizën që ka pllakosur gjithë jetën e vendit,
Ruka tha se ne inkurajojmë Presidentin Topi për organizimin e kësaj tavoline
dhe shpresojmë që ai do të bëjë të gjitha përpjekjet për ta realizuar atë sa më
parë.

Kurse u përpoq të sigurojë: Dëshiroj që në emër
të Partisë Socialiste të rikonfirmoj qartazi dhe pa asnjë ekuivok se PS me hetimin
e zgjedhjeve përmes hapjes së kutive nuk synon aspak ndryshimin e rezultatit të
zgjedhjeve në tavolinë e për pasojë as rikonfigurimin e parlamentit aktual.

Sipas Rukës, synimi i vetëm i PS është
garantimi i standardeve europiane në organizimin e zgjedhjeve të ardhshme që
garantojnë besnikërisht vullnetin e zgjedhësve shqiptarë.

e.n/e.r/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›