E Diel, 1 Nëntor 2026

PS dënon dhunën ndaj nxënësve shqiptarë në Maqedoni

Tiranë- Partia Socialiste e Shqipërisë përmës një deklarate për shtyp ka dënuar ashpër dhunën barbare të ushtruar ndaj nxënësve shqiptarë nga agresorë maqedonas, dy ditë më parë në Shkup të Maqedonisë.

PS deklaron se ky është një akt kriminal por edhe një këmbanë alarmi për vendet që aspirojnë integrimin në familjen e madhe europiane.

Dhunimi i nxënësve shqiptarë, të sulmuar e të rrahur në mënyrën më barbare për arsyen e vetme se janë shqiptarë, përbën padyshim jo vetëm një akt të papranueshëm kriminal, por edhe një sinjal alarmi për të gjithë ata që të ardhmen e rajonit tonë e shohin në Europë dhe jo në një rikthim tek e shkuara e tensioneve e konflikteve etnike. Partia Socialiste dëshiron tu shprehë mbështetjen dhe solidaritetin e saj viktimave të këtij sulmi të shëmtuar dhe familjarëve të tyre. Partia Socialise dëshiron ti shprehë, po ashtu, mbarë komunitetit shqiptar në Maqedoni vendosmërinë e saj të palëkundur për tiu gjendur atyre në krah jo vetëm kur përballen me situata të tilla të papranueshme për Europën e shekullit 21, por edhe gjatë gjithë përpjekjeve të tyre për të fituar vendin që u takon në shoqërinë dhe institucionet maqedonase- thuhet në deklaratën e PS-së.

Ndërkaq PS-ja deklaron se incidente të tilla të kthyera në rituale të përjavshme nuk i shërbejnë askujt, teska shton se ato cënojnë bashkëjetesën paqësore në vend.

Partia Socialiste e ka ndjekur me shqetësim të thellë shtimin e incidenteve dhe rritjen artificiale të tensioneve me sfond etnik e fetar në Maqedoni; incidente e tensione, të cilat nuk i shërbejnë askujt përpos disa grupeve apo individëve të cilët nuk ndajnë as vizionin demokratik e as vizionin europian të popujve tanë. Fakti që incidentet e kësaj natyre, qoftë me parrulla raciste nëpër stadiume, apo sulme të motivuara nga urrejtja etnike, janë kthyer në rituale gati të përjavshme duhet të shihet nga të gjithë ne si një kambanë alarmi për kanosjen e bashkëjetesës demokratike në Maqedoni- vijon deklarata.

Partia Socialiste kërkon nga autoritetet maqedonase hetimin dhe ndëshkimin e autorëve të krimit të shëmtuar dhe barbar ndaj 15 nxënësve shqiptarë.

Dorina Bilbili/IDEA

Shkrime të tjera me interes:

  1. “Opozita shqiptare në Maqedoni, bashkim pa PDSH-në” Maqedoni- Pas prishjes së bashkëpunimit mes dy partive opozitare shqiptare...
  2. Dhuna barbare ndaj 15 nxënësve, në pranga 8 huliganë maqedonas Shkup- Tetë maqedonas kanë rënë në prangat e policisë si...
  3. Tiranë, MPJ denon dhunën në Mitrovicë Tiranë- Ministria e Punëve të Jashtme në Tiranë, ka reagur...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›