PS sulmon hapur numrin dy të OSBE-së, Grossruck
Linja anti-ndërkombëtare po mbizotëron në selinë rozë. Dje kanë ardhur akuza me emra të përveçëm nga sekretarja për marrëdhëniet me ndërkombëtarët në këtë parti, Arta Dade, e cila nuk ka nguruar të hedhë baltë mbi drejtuesin e një prej organizatave më me ndikim në botë, OSBE, e cila merret kryesisht me vëzhgimin e proceseve zgjedhore. Zv.presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Wolfgang Grossruck, është cilësuar nga PS-ja mik personal i Kryeministrit Berisha, një njeri që ka interesa ekonomike në vendin tonë dhe preferencial në gjykimin e tij për zgjedhjet e 28 qershorit. Një gjuhë e ashpër kjo e përdorur për përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare, që monitorojnë zgjedhjet në vend dhe japin vlerësime dhe raporte mbi standardet, ndërkohë që vjen në radhën e akuzave të mëparshme të bëra nga kolegë të tjerë të Dades, si Gramoz Ruçi e Pandeli Majko. “Natyrisht, Grossruck njihet prej vitesh, edhe kur Sali Berisha ka qenë në ditët e tij më të këqija, siç ishin zgjedhjet e vitit 1996. zoti Grossruck duke shkelur të gjitha standardet edhe të organizatës që përfaqëson, por edhe standardet për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme edhe të vendit të tij, Austrisë, ka përshëndetur zgjedhjet e 1996, duke i quajtur konform standardeve, zgjedhje për të cilat Shqipëria ka hyrë në të gjitha faqet e historisë evropiane, si vendi që ka dhunuar zgjedhjet”, - tha Dade dje në konferencën për shtyp. Ajo e akuzoi më tej për interesa ekonomike duke thënë se “kemi të bëjmë me një personalitet, ku shpreh keqardhjen e thellë që flet në emër të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, por sigurisht unë nuk do të doja të besoja që mjaft miq të Sali Berishës janë të lidhur edhe me afera të ndryshme ekonomike në Shqipëri”. Vetëm dy ditë më parë gjatë mbledhjes së Asamblesë së OSBE-së në Athinë u krijua një grup që hartoi një raport për zgjedhjet në Shqipëri. Grossruck, anëtar i këtij grupi, tha se është pjekuri të pranosh rezultatin e zgjedhjeve duke iu referuar kështu bojkotit të opozitës. Në këtë grup bën pjesë edhe kryetari i delegacionit të Italisë në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, Ricardo Migliori, anëtari i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Christian Miesch (Zvicër), si dhe Alce Hastings, anëtar i Kongresit Amerikan, bashkëkryetar i Komitetit Amerikan të Helsinkit. “Ramë plotësisht dakord për rezultatin e zgjedhjeve dhe vlerësimin e tyre”, - deklaroi zëvendëspresidenti Grossruck, duke shtuar se është për të ardhur keq që opozita nuk merr pjesë në Kuvend. “Konkluzioni ynë është se zgjedhjet ishin të lira e të ndershme dhe në rrugën e drejtë të një demokracie të plotë. Është për të ardhur keq që opozita nuk po merr pjesë në Parlament. Pjesë e pjekurisë demokratike është edhe të pranosh rezultatin e zgjedhjeve dhe shpresoj që partia e opozitës të marrë sa më shpejt pjesë në Parlament. Kjo është e vetmja rrugëdalje”, - tha ai duke iu referuar raportit të hartuar nga grupi.