E Diel, 1 Nëntor 2026

Spitalet, brenda 2009 kosto reale për çdo sëmundje

• Llogaritja e kostos reale për diagnozat e pacientëve, ditëqëndrimin mesatar në spital, numrin e të shtruarve, është tashmë një projekt i zbatuar në praktikë.

zirina llambro

Ai pritet të përfshijë të gjithë spitalet e vendit brenda vitit 2009, me futjen e tyre në skemën e sigurimeve shëndetësore. Në këtë mënyrë më në fund në shëndetësi  do të mundësohet krijimi e një baze të dhënash sipas standardeve të BE-së. Spitali i Durrësit që mbulon 350 mijë banorë ka aplikuar me sukses llogaritjen e kostos në mënyrë të informatizuar për çdo sëmundje. Sipas Institutit të Sigurimeve të Kujdesish Shëndetësor që po financon këtë spital, në vijim kjo skemë pritet të shtrihet në të gjithë vendin. Mbetet prioritet kthimi i ISKSH-së në financuesin e vetëm të sistemit shëndetësor në vend. Metoda e zbatuar për herë të parë, ka mundësuar matjen e vazhdueshme të shpenzimeve reale për çdo sëmundje, për të gjithë personat e hospitalizuar. Kostoja për diagnozë sipas metodës bashkëkohore (DRG) që përdoret sot në vende perëndimore ka sipas specialistëve të ISKSH-së, një sërë avantazhesh. Me anë të saj  sigurohet informacion të plotë për hartën e sëmundshmërisë sipas demografisë së popullsisë, grupmoshave, gjendjes sociale, koston reale të trajtimit të kësaj sëmundshmërie. Gjithashtu, me këtë rrjet të dhënash bëhet krahasimi me spitale të tjera, për shkallën e cilësisë së shërbimit, eficencën e përdorimit të protokolleve të mjekimit, planifikimin e rimbursimit të barnave, përmirësimin e planifikimit buxhetor, identifikimin e problemeve dhe analizën e tyre.
Spitali i Durrësit
Në spitalin Durrësit kostoja sipas kësaj mënyre, llogaritet për shërbimin e Patologjisë, Kirurgjisë, Pediatrisë, Obstetrisë dhe Gjinekologjisë. Mbi bazën e të dhënave të përfituara në mënyrë të informatizuar, sipas programit kompjuterik të kostos, llogariten të gjitha grupet e shpenzimeve. Në këtë mënyrë për çdo muaj, pas përpunimit dhe interpretimit të të dhënave nga zyra e kostos, nxirren të gjitha shpenzimet reale. Objektivat e mëtejshme të ISKSH-së përmes zbatimit të shtrirjes së skemës në spitale, synojnë në llogaritjen e plotë të kostos për diagnozë, në të gjitha shërbimet e spitalit, krijimin e një data-base për pacientët e trajtuar dhe një sërë indikatorësh të tjerë me rëndësi. Nga sa bën me dije ISKSH-ja ka në plan futjen e elementit të bashkëpagesës në spital, si faktor për rritjen e të ardhurave dhe cilësisë së shërbimit, si dhe përfshirjen e shërbimeve ekstra në spital kundrejt tarifave shtesë (dhomë speciale, trajtim shtesë). "Shtrirja e skemës së sigurimeve në spitalet rajonale, është një nga objektivat më të rëndësishme të ISKSH-së. Me vlerësimin e plotë të spitalit të Durrësit, ISKSH-ja do të synojë shtrirjen e skemës në spitalet rajonale, për të përfunduar më pas përfshirjen e të gjitha shërbimeve shëndetësore", sqarojnë specialistët e këtij instituti.

350 mije
banorë mbulon spitali i Durrësit, i cili po financohet sipas projektit pilot nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor

9 indikatoret
e rëndësishëm që mundësojnë matjen e kostos për çdo pacient sipas diagnozës. Skema pritet të shtrihet brenda vitit 2009 në të gjitha spitalet e vendit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›