PS, e degraduar politikisht, Rama të harrojë se ka të bëjë me Shqipërinë e viteve ’90-të

Zv/kryeministri Ilir Meta i kujtoi dje haxhiqamilistit në opozitë se s’mund të ketë asnjë krahasim mes Shqipërisë staliniste të vitit ’90 dhe anëtares së sotme të NATO-s, prandaj edhe marrëzitë e rrugëve duhet të zëvendësohen me pjesëmarrjen e pritshme në parlamentZv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta, reagon ndaj thirrjeve të kryesocialistit në largim, Edvin Rama për demonstrata popullore kundër qeverisë. Meta u shpreh se deklaratat për rrëzim të qeverisë me dhunë janë alarmante dhe lënë për të kuptuar degradimin e politikës së partisë më të madhe të opozitës e cila në një moment kur të gjithë shqiptarët presin dhe kërkojnë bashkëpunim për të shpejtuar ditën e liberalizimit të vizave, bën thirrje për reprezalje ndaj qeverisë dhe pushtetit. “Ata harrojnë që Shqipëria tashmë ka një përvojë prej gati dy dekadash në demokraci. Nuk është më viti 1990, sepse Shqipëria në vitin 1990 nuk kishte Parlament, Shqipëria në vitin 1990 nuk kishte as OSBE as ODIHR për të vlerësuar standardet e zgjedhjeve dhe për t’i çertifikuar ato. Shqipëria nuk ishte në vitin 1990 as anëtare e NATO-s, dhe nuk kishte këtë rol që ka sot, i cili vlerësohet nga të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë. Fakti që vetëm për pak ditë hapen dhe njoftohet hapja e disa ambasadave nga disa vende të rëndësishme anëtare të BE-së, ndërkohë që po përgatiten dhe shumë vende të tjera në Evropë apo në botë për të hapur ambasadat e tyre në vendin tonë. Pra, është pikërisht rezultati i vlerësimit të rolit shumë pozitiv që luan Shqipëria si faktor shumë i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit në këtë rajon, por njëkohësisht dhe i progresit që Shqipëria ka bërë dhe po bën tashmë si anëtare e NATO-s, por edhe si një vend që ka hyrë në stadin final të anëtarësimit në Bashkimin Evropian”- u shpreh zv/kryeministri Ilir Meta. Ai i apeloi kreut të opozitës që të dëgjojë sinjalet e ndërkombëtarëve dhe të lejojnë rikthimin e grupit parlamentar në Kuvend. Lidhur me ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për zgjedhjet e 28 qershorit, Meta tha se kjo në radhë të parë është një kërkesë e vetë qeverisë dhe e mazhorancës, e cila ka bërë publike vullnetin e saj për transparencë të plotë për të hetuar për gjithçka e cila ka të bëjë natyrisht me ato pretendime që janë ngritur nga opozita por që sigurisht nuk cenojnë Kushtetutën dhe nuk cenojnë pavarësinë e Gjykatave. “Mazhoranca dhe Qeveria, kanë bërë të qartë se janë të hapura për t’a krijuar këtë komision, madje dhe për t’i dhënë edhe shumicën në këtë komision opozitës, gjë që nuk është e zakonshme sepse shumica gjithmonë i takon mazhorancës. Ky është një tregues i vullnetit të saj dhe tolerancës në këtë drejtim. është për të ardhur keq që ka një mungesë serioziteti në deklarimet e përfaqësuesve të Partisë Socialiste, si në këtë propozim që ka ardhur nga Raporterët e KE-së, ashtu si dhe në tastet e tjera”, deklaroi ai. Duke iu referuar kërkesave të opozitës, Meta, theksoi se me asnjë çmim dhe me asnjë kusht paradoksal, nuk do të ketë vendim për hapje të kutive, përsa kohë janë shprehur institucionet kushtetuese në vend dhe i njëjti vlerësim është dhënë dhe nga institucionet ndërkombëtare të vlerësimit të votës. “Qëndrimet janë jo vetëm në kundërshtim me pavarësinë e gjykatave, ç’ka është e shenjtë për institucionet demokratike euro-atlantike, por njëkohësisht për diçka që do të krijonte një precedent destabilizues jo vetëm për të ardhmen e Shqipërisë, sepse çdo lloj force politike në të ardhmen do të ngrinte të njëjtat shqetësime dhe probleme të paqena, por absolutisht askush nuk e përkrah një kërkesë të tillë absurde, anti-kushtetuese dhe anti-demokratike pasi kjo do të krijonte dhe një precedent edhe për vendet e tjera në rajonin tonë apo në rajone të tjera të Evropës. Ndaj ka ardhur koha që Kryetari i PS-së të heqë dorë nga thirrjet e dhunshme për të përmbysur Qeverinë me dhunë. Ka ardhur koha që të reflektojë dhe të dëgjojë mesazhet e ndërkombëtarëve por edhe mesazhet e Qeverisë, mazhorancës, madje do të thosha edhe mesazhet e shumë zërave të njohur brenda PS-së apo në opozitë që janë kundër kësaj sjellje apo që në fund të fundit është një sjellje shumë e vjetër, e lënë tashmë pas nga Shqipëria dhe shqiptarët”, deklaroi më tej, zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta. Partia Demokratike shprehet se suita e bllokmenëve të rinj po keqpërdorin projektrezolutën e KE-së/Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Erla Mëhilli u shpreh dje gjatë një deklarate për shtyp se PD vlerëson kërkesën e rezolutës së KE-së për hyrjen e opozitës në Parlament dhe se është e gatshme për ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar për zgjedhjet. “Një projekt rezolutë e Këshillit të Evropës, e botuar më datë 17 dhjetor, e cila i kërkon në mënyrën më të prerë opozitës të hyjë në Parlament dhe qeverise të krijojë Komision Hetimor Parlamentar, po përdoret nga Edvin Kristaq Rama dhe pinjollët e bllokut si një argument për doktrinën e tyre të revolucionit permanent të mosnjohjes së Kushtetutës, Parlamentit dhe institucioneve të vendit. Duke e keqinterpretuar rezolutën, e cila denoncon bojkotin në çdo paragraf të saj dhe kërkon njohjen dhe respektimin e institucioneve, Edvin Kristaq Rama dhe suita e bllokmenëve të rinj bazuar në doktrinën e revolucionit permanent, shpallën se fajin nuk e ka bojkoti por e kanë institucionet, të cilat duhet ti binden vullnetit të Ramës dhe siç deklaroi ai mbrëmë në monologun e tij, qoftë edhe me dhunë”- tha Mëhilli. Ajo u shpreh se “nëse Rama, ftesat e përsëritura për dialog për Komision Hetimor Parlamentar për të hetuar zgjedhjet i merr si një provë dobësie dhe si një mundësi për të lëshuar kërcënime bajate njëra mbas tjetrës na duhet ti rikujtojmë se rendi kushtetues dhe shteti ligjor janë sot më të fortë se kurrë në historinë e tyre”. “Në rast se këto kërcënime Rama i ka lëshuar për të detyruar deputetet e tij që të humbasin mandatet duke mos bërë betimin e duke munguar 6 muaj kjo është çështja e tyre e brendshme”, shtoi më tej Mëhilli e cila theksoi se PD është duke mirëpritur që deputetët socialist të zënë vendet e tyre në Parlament.Ministri Genc Pollo: “Bojkoti, shkelje e demokracisë, Rama të rikthejë opozitën në sallë para se të digjen mandatet”/Shumica parlamentare vazhdon të vlerësojë si tejet të dëmshëm dhe jashtë çdo konteksti demokratik bojkotin e ekzagjeruar të pakicës së Edi Ramës. Ministri i Shtetit, Genc Pollo, duke i bërë apel PS-së për një rikthim të mundshëm dhe të shpejtë në parlament, thekson se “ata janë përfaqësues të popullit dhe për këtë duhet ti përfaqësojnë në sallën e Kuvendit, për të shmangur djegien e mandateve, çka pritet të sjellë edhe zëvendësimin e deputetëve”. Këtë deklaratë Pollo e bëri gjatë një fjalimi që mbajti në përkujtimin e 90-vjetorit të Kongresit të Lushnjes, i pranishëm në aktivitetet që u bënë në këtë qytet, me rastin e përvjetorit jubilar. “Nëse evokojmë Kongresin e Lushnjës, është rasti që të gjithë ata që janë përfaqësues të këtij populli, të bëjnë gjithçka për këtë vend dhe të bëjnë pjesë në një Kuvend. Në një Kuvend të Republikës së Shqipërisë, sepse ashtu si edhe 90 vjet më parë edhe delegatët që erdhën, edhe ata që për shkak të rrethanave, erdhën më vonë, u bashkuan drejt vendimeve historike të vitit 1920. Një gjë e tillë duhet të frymëzojë të tërë që të shkojnë të flasin të debatojnë dhe të votojnë në Kuvendin e Republikës 90 vjet më vonë”, u shpreh ministri i Shtetit, Genc Pollo. Bojkoti institucional i opozitës është bërë tema politike ditore, pasi për vetë faktin e organizimit dhe demostrimit të saj, përbën një rast unik dhe jashtë çdo lloj morali dhe etike demokratike. Edi Rama, paralajmëroi edhe një natë më parë gjatë një emisioni televiziv se nuk ka ndërmend që të legalizojë partinë e tij, por më tepër po mendon metodat me të cilat do të rrëzojë dhunshëm qeverinë....