PS hap fushatën: Festa e ndryshimit fillon sonte
TIRANE- Partia Socialiste hap sonte në orën 19:00 fushatën e saj për zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit.Qyteti Studenti, atje ku 18 vjet më parë nisi ëndërra për ta bërë Shqipërinë si Europa është zgjedhur nga socialistet si pikënisja e ditëve zgjedhore. “Festa e Ndryshimit fillon sot pasdite në orën 19:00 në fushën e sportit të qytetit Studenti, aty ku 18 vjet më parë nisi ëndrra e çdo shqiptari për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa. PS fton të gjithë qytetarët e Tiranës ashtu si 18 vite më parë të jenë bashkë në qytetin studenti, aty ku mori jetë vullneti ynë për të pasur një vend ndryshe, të ngjashëm me vendet e tjera të BE, që sot pas 18 vitesh ende nuk e kemi” deklaroi për mediat, Besnik Baraj.
Kryetari i PS, Edi Rama i ka bërë thirrje qytetarëve ti bashkohen në orën 19:00, festës së ndryshimit për politikën e re.
“Ftojmë qytetarët e Tiranës të jenë sot pasdite në orën 19.00 në qytetin studenti për ti dhënë shpresë të gjithë Shqipërisë se ndryshimi që presim prej 18 vjetësh e nuk e shohim të realizuar, do të nisë së shpejti, vetëm 32 ditë na ndajnë nga ky ndryshimi i madh, ejani të jeni dëshmitarë të tij” tha Baraj.
Detajet e mitingut
Ora: 15:00- “Gazeta Shqiptare” ka zbuluar detajet e mitingut. Nga një ekran i madh do të transmetohen sloganet e PS-së “Politikë e re për ndryshim” dhe “Çohu për ndryshim” si dhe videoklipi i këngës së prezantuar dy ditë më parë nga Edi Rama së bashku me grupin e njohur “West Side Family”, “Çohu”. Burimet bëjnë të ditur se do të flasin njerëz të ndryshëm, që përfaqësojnë grupe të ndryshme interesi.
Po kështu, 140 kandidatët do të përfaqësohen në këtë hapje fushate, por vetëm pak përfaqësues prej tyre do të marrin fjalën në miting. Të pranishëm do të jenë edhe aleatët e PS-së dhe përfaqësues të tyre, në rast se ndonjë prej kryetarëve, për shkak të takimeve elektorale të fiksuara, do të mungojë.
Ka një motiv pse mitingu hapës këtë herë nuk u bë në sheshin “Nënë Tereza”. Këtë herë, politika e re e socialistëve dhe aleatëve të saj do ta fillojë aksionin e ndryshimit aty ku gati 19 vjet më parë nisën edhe protestat e studentëve, për të sjellë në Shqipëri pluralizmin dhe demokracinë.
(e.n/BalkanWeb)