E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, hap sot fushatën tek Qyteti Studenti

Partia Socialiste me në krye Edi Ramën, do të çelë sot pasdite në Qytetin Studenti, fushatën zyrtare për zgjedhjet elektorale të 28 qershorit. Mësohet se fusha e kampit të majtë është konceptuar në formën e një spektakli, por megjithatë ceremonia e hapjes së fushatës mbahet shumë sekret nga organizatorët. Gjithsesi, mendohet që aksioni socialistëve do të fillojë pikërisht atje, nga ku nisi në fillimvitet 1990 përmbysja e komunizmit. Deri më tani është zbuluar se mitingu nuk do të zhvillohet në sheshin Demokracia të Qytetit Studenti, por do të zbresë këtë herë pak më poshtë, në fushën e sportit të studentëve. Të pranishëm do jenë aty të gjithë aleatët e koalicionit Bashkimi për Ndryshim. Është momenti që të kthehemi tek studentët. Ndryshimet fillojnë që aty, behët e ditur se do të jetë një ndër pasazhet e kreut të selisë rozë, Edi Rama.
Nuk do të ketë shumë detaje të organizimit të hapjes së fushatës deri në momentin e prezantimit. E sigurt është se Rama, gjatë fushatës elektorale, në një mënyrë krejt të veçantë ka vendosur edhe të këndojë një këngë me titull Çohu në bashkëpunim me djemtë e grupit të njohur West Side Family. Kënga Çohu e grupit të lartpërmendur pritet të shoqërojë si kolone zanore të gjithë fushatën e kryetarit socialist Edi Rama. Lideri socialist ka vlerësuar se ky bashkëpunim me grupin West Side Family do të jetë një thirrje e qartë për gjithë shqiptarët e shqiptaret për ta çuar Shqipërinë drejt një qeverisjeje qytetare. Sipas tij, në rreshtat e kësaj kënge gjithkush mund të gjeje dhe filozofinë politike të socialistëve, si dhe mënyrën se si një grup artistësh të rinj, shprehin mbështetjen për këtë forca politike. Ndërkaq, ajo që bie në sy është se PS-ja dhe PD-ja i kanë ndarë sheshet për hapjen e fushatës elektorale. Kështu, Partia Demokratike zgjedh sheshin Skënderbej, ndërsa Partia Socialiste Qytetin Studenti për zhvillimin e nisjes së fushatës. E rëndësishme është se militantët e PD-së dhe PS-së nuk do të kenë mundësi të përplasen në bulevardin qendror si në vitin 2005 dhe 2007 në zgjedhjet lokale, pasi demokratët do të festojnë pranë sheshit Skënderbeu dhe socialistët në fushat e sportit, atje ku lindi lëvizja studentore e viteve 90. Kreu i PD-së ka caktuar ministren dhe zëdhënësen e fushatës, Majlinda Bregu, që të jetë organizatorja e çeljes së fushatës elektorale. Ekipi i demokratëve është duke punuar ngushtë me kompaninë amerikane PSB, e cila do të kujdeset për 32 ditët në vazhdim për imazhin e PD-së dhe 140 kandidatëve të saj. Sakaq selia rozë është duke bërë përgatitjet e fundit për strategjinë që do të ndjekë gjatë fushatës. Veç debateve televizive, spotet dhe sloganet do të jenë disa prej elementëve që do ta shoqërojnë atë. PS ka bërë një ndarje zonash ku kandidatët do të synojnë të marrin votat në qarqet ku ata garojnë. Gongu i nisjes së fushatës bie në mesnatën mes 28 dhe 29 majit për të përfunduar më 26 qershor. Ndërkohë, Lëvizja Socialiste për Integrim e çel fushatën më datën 3 qershor në sallën e Pallatit të Kongreseve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›