E Shtunë, 31 Tetor 2026

“PS iu rikthye zënkave, për të penguar reformat”

26-02-2012 / Gazeta 55

Sekretari për Çështjet Ligjore në LSI, Ylli Manjani

Lëvizja Socialiste për Integrim e cilëson absurd qëndrimin e Partisë Socialiste ndaj punës së komisionit të reformës zgjedhore. Sipas LSI, opozita i është rikthyer zënkave dhe po tenton të bllokojë reformat.
Sekretari për Çështjet Ligjore në LSI, Ylli Manjani tha se komisioni i reformës zgjedhore nuk është i dështuar, por sipas tij, risku ka të bëjë me një marrëveshje dy paleshe të dy partive të mëdha dhe pas kësaj mund të bëhen pishman të dyja palët.
“Situata e krijuar në komisionin e reformës zgjedhore do të sjellë zgjidhje absurde, çka do të bëjë që pas proceseve zgjedhore do të kundërshtohet nga dy partitë e mëdha. Nuk besoj që ky komision është i dështuar në punën e tij por ka vetëm një risk, që mund të çojë në një zgjidhje absurde dhe pas kësaj do të bëhen pishman të dyja palët”, u shpreh ai. Megjithatë sekretari për çështjet zgjedhore në LSI thotë se forca politike që ai përfaqëson do të japë kontributin e saj të vazhdueshëm, duke iu drejtuar opinionit publik dhe duke bërë që ky proces të bëhet transparent. Sikundër tha Manjani, për LSI reforma zgjedhore duhet të jetë një analizë e plotë dhe e thellë.
Sipas tij, Edi Rama nuk ka bërë gjë tjetër deri tani vetëm ka sulmuar sistemin aktual zgjedhor duke penguar integrimin e vendit dhe marrjen e statusit të vendit kandidat. Manjani tha gjithashtu se, Rama nuk e do statusin e vendit kandidat për Shqipërinë. Lidhur me reformën në drejtësi, Manjani ka deklaruar se është e domosdoshme që të punohet për një sistem të drejtë drejtësie. Në vlerësimin e tij, institucionet duhet të marrin përgjegjësitë në këtë drejtim, duke analizuar thelbin e çështjes.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›