Reforma Zgjedhore, ODIHR sjell në Tiranë misionin e dytë të ekspertëve
Javën e ardhshme mbërrin në Tiranë një ekip prej dy ekspertësh nga OSBE-ODIHR për administrimin e zgjedhjeve. Ekspertët e ODIHR do të zhvillojnë një takim të posaçëm me përfaqësuesit e komisionin e reformës zgjedhore dhe grupin e ekspertëve për hartimin e Kodit Zgjedhor. Në këtë tryezë do të diskutohet për çështje të kodit elektoral, më konkretisht, administrimin e zgjedhjeve dhe votimin elektronik. ODIHR ka shprehur gatishmërinë për të asistuar në reformën zgjedhore, në mënyrë që ajo të përfundojë në kohën e duhur.
Për ODIHR, Shqipëria ka bërë një progres shumë evident për sa i përket kuadrit ligjor dhe rritjes së standardeve të zgjedhjeve, ndërkohë që komisioni i posaçëm parlamentar ka miratuar 20 nga 53 rekomandimet e ODIHR.
Grupi i ekspertëve që vjen në Tiranë javën e ardhshme, pason atë të një muaji më parë, të kryesuar nga dy raportuesit Jessie Pilgrim dhe Richard Lappin. Aktualisht komisioni i reformës zgjedhore ndodhet në një fazë intensive të diskutimeve politike, ku nuk mungojnë as përplasjet mes dy partive të mëdha.
Në mesjavë Edi Rama akuzoi mazhorancën se po mban peng reformën elektorale, por i menjëhershëm ishte reagimi i shumicës se, opozita po shkel marrëveshjen e 14 nëntorit, duke depozituar pranë grupeve të punës amendamente antikushtetuese si propozimet në reformën parlamentare për votimin e dekreteve të Presidentit, kufizimin e kohës së Kryeministrit dhe ministrave si dhe kthimin e 60 minutësisht (diskutim i lirë), në fillim të seancës.
Megjithatë, në fokus të takimeve që pritet të zhvillojnë ekspertët e ODIHR do jetë progresi i reformës zgjedhore. Kjo është pjesë e përpjekjeve më të gjëra të ODIHR-it për të ndihmuar Shqipërinë në kërkesën e saj, për të siguruar që zgjedhjet të mbahen në përputhje me angazhimet e tyre ndaj OSBE-së dhe me standardet ndërkombëtare për zgjedhje të lira dhe demokratike.
Në vizitën e tyre të dytë në Shqipëri, ekspertët e ODIHR do të zhvillojnë takime me komisionin e posaçëm dhe grupin e ekspertëve teknikë të zgjedhjeve si dhe me përfaqësuesit e partive të vogla politike, shoqërisë civile dhe komunitetit ndërkombëtar.