E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-ja festë për 18-vjetorin e saj

11/06/2009  Socialistët do të festojnë ditëlindjen pranë amfiteatrit të Liqenit Artificial

“Ejani të festojmë së bashku përvjetorin dhe politikën e re për ndryshim!”

Partia Socialiste pritet të festojë nesër 18-vjetorin e krijimit të saj. Këtë vit, ndryshe nga vitet e kaluara, kupola rozë ka menduar që të organizojë një festë, përmes të cilës të mund të shfaqë realisht rëndësinë e këtij përvjetori për Partinë Socialiste. Organizatorët, duke menduar t’i japin përmasa të mëdha këtij evenimenti, kanë zgjedhur si ambient për të festuar amfiteatrin pranë Liqenit Artificial në Tiranë. Me sa duket, ndryshimi dhe risia për këtë parti nisin që te dizenjimi i ftesave që janë përgatitur për të ftuarit në përvjetor. Një fletëpalosje me ngjyrat që ka përqafuar tashmë Partia Socialiste, dhe bashkë me ta dhe një tekst, ku kryeçështje është politika e re, janë elementet kryesore që të bien në sy në ftesën e përgatitur nga kjo parti për të gjithë të ftuarit që do të jenë pjesë e kësaj feste. “Ky përvjetor i 18-të i krijimit të Partisë Socialiste është i veçantë, pasi përkon me zgjedhjet më të rëndësishme të historisë sonë. Ne sot jemi gati të çelim një faqe të re në historinë e Shqipërisë, duke ofruar për çdo qytetar ide të reja, vizion të ri dhe një politikë të re për ndryshim. Ejani të festojmë së bashku përvjetorin e 18 të Partisë Socialiste dhe politikën e re për ndryshim! Ditën e premte, më 12 qershor, në orën 19:00, pranë amfiteatrit të Liqenit Artificial në Tiranë”, - ky ishte teksti përmes të cilit të ftuarit ftohen në këtë përvjetor. Megjithatë, ende nuk bëhet e ditur nëse do të ketë një ftesë për ish-themeluesit apo drejtuesit e kësaj partie. Nisur nga ajo çfarë është shfaqur deri më sot në kampin e majtë, nuk pritet që ky përvjetor të ofrojë ndonjë surprizë. Por kësaj radhe vlen të theksohet fakti se lidershipi socialist vendosi t’i japë një rëndësi 18-vjetori të PS-së, ndryshe nga dy vjetët e kaluar, kur thuajse ishte e shumuar si datë, edhe pse ditë e shënuar për selinë rozë. Kështu, kupola rozë pati vendosur që 17-vjetori i themelimit të partisë të festohet në të gjitha qarqet. Pra, atë përvjetor socialistët kanë preferuar që ta konceptojnë si një festë të decentralizuar dhe jo festime vetëm në metropol. Vetë kreu i Partisë Siocialiste, Edi Rama, më 12 qershor të vitit 2008, kur kjo parti përmbledh 17 vjet të krijimit të saj, do të ishte në Korçë në kuadër të turit të tij “Dialog me Shqipërinë”. Në këtë mënyrë, në këtë ditëlindje veç festës modeste të organizuar në qendër, u organizuan njëkohësisht dhe festime të deleguara në bazë në të 12 qarqet e vendit. Duke shkuar një vit më tej, në festën e 16-të Partisë Socialiste qe vënë re mungesa e patriarkut të kësaj partie, ajo e Dritëro Agollit. Por krahas tij në këtë ditëlindje mungonte dhe një nga figurat e saj: Rexhep Mejdani. Ndërkaq as aleatët e PS-së nuk iu bashkuan kësaj festë. Kjo ditëlindje ishte menduar të mos festohej larg ambienteve të partisë, duke përzgjedhur si ambient lokalin që është pikërisht pranë selisë rozë. Atmosferës së qetë i shtohej dhe prania e të ftuarve, deputetë, punonjës të administratës, por dhe anëtarët më të rinj të Asamblesë Kombëtare, të cilët i dhanë kësaj ditëlindjeje një pamje krejtësisht trendy, pasi veshja e tyre ishte krejtësisht e lirë larg kollareve dhe kostumeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›