E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shorti godet LSI-në, do të numërojë votat vetëm në 11 qendra

11/06/2009  PDS dhe PDK kanë marrë numrin më të madh të anëtarëve të GNV-ve në të gjithë vendin

PDK-ja e Nard Ndokës do të ketë anëtarin e tretë në të gjitha GNV-të

Paskal Milo i PDS-së do të ketë numrin më të madh të numëruesve të votave nga partitë e majta, ndërkohë që LSI-ja, e cila është një ndër akuzueset kryesore të dy partive të mëdha për manipulim votash, do të ketë vetëm 12 të tillë. Komisionin Qendror të Zgjedhjeve hodhi dje shortin për përcaktimin e partisë politike që do të propozojë anëtarin e tretë dhe të katërt në grupet e numërimit të votave. Nga hedhja e shortit, ku morën pjesë 8 parti të vogla parlamentare, të ndara në dy grupe, shumicë parlamentare dhe pakicë parlamentare rezultoi se Partia Demokristiane do të ketë anëtarin e tretë në të gjitha grupet e numërimit në 23 komisionet zonale të administrimit zgjedhor, ndërsa përfaqësuesit e Partisë Demokracia Sociale do të numërojnë votat në 22 KZAZ. Ndërkohë PAD-ja dhe PAA-ja do të kenë anëtarin e tretë në të gjitha grupet e numërimit të votave, përkatësisht në 16 KZAZ secila, ndërsa PSD-ja dhe PBDNJ-ja do të numërojnë votat përkatësisht në 18 dhe 15 komisione zonale të administrimit të zgjedhjeve.

LSI-ja dhe PR-ja

Shorti për dy partitë e tjera, PR-në dhe LSI-në, që janë dy partitë më të mëdha të koalicioneve pas PD-së dhe PS-së, tregoi se ato do të kenë përfaqësi të ulët në grupet e numërimit të votave në 11 dhe 12 KZAZ. Nga ky short Kodi Zgjedhor në nenin 96 të tij përjashton Partinë Demokratike dhe Partinë Socialiste, si parti që kanë kryetarin dhe nënkryetarin e KZAZ-së. Sipas Kodit Zgjedhor, neni 95, pika 2, dhe neni 96, KQZ-ja përcakton procedurën e shortit për anëtarin e tretë dhe të katërt të GNV-ve. Të drejtën për të përcaktuar këta anëtarë e kanë partitë e shumicës parlamentare dhe partitë e opozitës parlamentare që janë regjistruar për zgjedhjet e 28 qershorit dhe kanë fituar jo më pak se dy mandate në zgjedhjet pararendëse parlamentare. Mendimi për shortin e hedhur sot do të merret në mbledhjen e nesërme, ditë në të cilën do të shqyrtohet edhe raporti i dytë i Bordit të Monitorimit të Medies. Shorti duket se e ka lënë më shumë të pakënaqur LSI-në, e cila në vitin 2005 mori një numër të konsiderueshëm votash në të gjithë vendin. Sa për PR-në, sistemi duket se nuk e ka prekur shumë, pasi dihet se si i mori votat kjo parti më 2005, duke dalë madje e para në renditje në sistemin proporcional. Në zgjedhjet e këtij viti duket se PR-ja s’do të jetë në radhën e atyre partive me peshë për sa i përket numrit të deputetëve dhe përqindja e saj pritet të jetë modeste. Gjithsesi, republikanët nga ana e tyre vazhdojnë të pretendojnë se janë partia e tretë në vend.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›