Withers: Mediu propozoi t’i hiqte etiketat kineze nga municionet
SHBA - Një hetim federal që ka prioritet maksimal për mashtrim me prokurimet ushtarake për Afganistanin është detyruar të ndryshojë drejtim për shkak të akuzave që ka hedhur tashmë një panel hetimor i Kongresit sipas të cilave një diplomat karriere i SHBA-së ka kërkuar të mbulojë skemën.
Edhe pse akuzat kundër ambasadorit duket se janë gjithsesi të palidhura, prokurorët po shpejtojnë të vlerësojnë efektet mbi këtë rast nën hetim që përfshin atë që është konsideruar të jetë njëri prej abuzimeve më serioze të prokurimeve të bëra tashmë në vite.
Rasti ka në epiqendër një tregtar armësh nga Miami, i cili i ka shitur municion ushtrisë afgane të mbështetur nga SHBA-ja nëpërmjet një kontrate të Pentagonit prej 298 milionë USD. Hetuesit kanë gjetur evidenca se kontraktori ka blerë miliona fishekë për pushkë dhe automatikë, prodhim kinez të depozituar në Shqipëri gjatë Luftës së Ftohtë dhe më pas i ka ripaketuar ato dhe i ka shitur në Afganistan.
Tregtari i armëve, i cili është tashmë nën akuzë dhe po përballet me gjykimin në Miami, ndiqet në gjendje të lirë që prej javës së kaluar. Qeveria ka ndaluar transportin e të gjitha dërgesave prej tij dhe ka pezulluar pagesat për kompaninë e tij.
Hetimi penal u ndërlikua kur kryetari i Komisionit të Kongresit për Mbikëqyrjen dhe Komitetin e Reformës Qeveritare, Henry A. Waxman (D-Beverly Hills) i tha panelit pohime nga një dëshmitar muajin e kaluar se një diplomat amerikan mund të këtë luajtur një rol kyç në fshehjen e evidencave të këtij mashtrimi.
Waxman, në një letër dërguar Sekretares se Shtetit, Condoleezza Rice, citon informacione sipas të cilave John L. Whithers, ambasador në Tiranë, kishte aprovuar një plan për të fshehur origjinën kineze të municioneve që dërgoheshin në Afganistan.
Prokurori amerikan që po ndjek çështjen, në përpjekje për t’u dhënë përgjigje pyetjeve që lindnin nga akuzat e ngritura prej Waxman, ndërmori hapin e pazakontë javën e kaluar për të grupuar Withers-in dhe pesë zyrtarë të tjerë nga ambasada amerikane në Tiranë, Shqipëri, pikërisht në Miami, ku një juri do të marrë dëshmitë e tyre.
Një avokat, i cili mbron të akuzuarin kryesor, Efraim Diveroli, 22-vjeçari i cili është president i AEY Inc., tha se akuzat e reja të hedhura nga Komiteti mund të prodhojnë motive të reja për të kërkuar pushimin e çështjes. “Nuk duket të ketë qenë një krim, nëse ambasadori amerikan e ka aprovuar këtë”, - tha avokati Howard Srebnick.
Pyetje të rëndësishme mbi akuzat që hedh Waxman kanë lindur javën e kaluar, teksa Withers foli për herë të parë gjatë një interviste për “The Times”, duke mohuar një përfshirje të ambasadës në mbulim të skemës dhe duke insistuar që zyrtarët atje (në ambasadën në Tiranë) kanë punuar ngushtësisht me hetuesit për të siguruar prova për procedimin penale.
Versioni i Withers-it është mbështetur nga të paktën katër zyrtarë të tjerë. Lidhur më këtë, një hetues i çështjeve penale, i cili po punon me çështjen e ka vlerësuar stafin e ambasadës për “mbështetjen e jashtëzakonshme” për ketë hetim penal, sikurse theksohet në një e-mail të Departamentit të Shtetit të datës 28 nëntor 2007, të cilit i është referuar edhe “New York Times”.
“Jo vetëm që nuk e kemi mbuluar, por përkundrazi, ne kemi ofruar ndihmesën tonë në këtë hetim dhe jemi krenarë për këtë”, - tha Withers, i cili është një veteran 24-vjeçar i Shërbimit të Jashtëm (në diplomaci). Withers-it i është dhënë leje nga zyrtarë të Departamentit të Shtetit për të folur publikisht, për të ofruar të dhëna lidhur më këtë çështje si një individ dhe jo si një përfaqësues i qeverisë së SHBA-së apo i Departamentit të Shtetit.
Këto zhvillime kanë mprehur tensionet mes Departamentit të Shtetit dhe Komitetit “Waxman”, i cili përbëhet nga një panel agresiv, që i shkakton shqetësime administratës Bush. Whithers dhe mbështetësit e tij thonë se paneli u ngut në publikimin e akuzave të rreme për përfshirje të mundshme në këtë skemë. Vendimi i Withers-it për të folur hapur ka shumë të ngjarë të ndezë tensionet dhe përfaqëson një rast të rrallë në të cilin një diplomat karriere sfidon një ligjvënës të nivelit të lartë. Të shtunën, ai i shkoi Waxman-it për të marrë një takim së bashku “për të hedhur poshtë akuzat e lëshuara ndaj reputacionit të një kuadri të përkushtuar që shërben në ambasadën amerikane në Shqipëri. Ai (Withers) i thoshte Waxman-it se konkluzionet e tij ishin “të gabuara në tërësi”.
Diveroli ka qenë furnizuesi më i madh me municione për forcat e sigurisë afgane dhe hetimi i nisur vitin e kaluar e çoi ushtrinë amerikane të rivlerësojë mënyrën se si sigurohej armatimi për forcat afgane dhe irakiane. Hetuesit mendojnë se AEY blinte fishekë kinezë, të cilat ripaketoheshin më parë nga një nënkontraktor shqiptar dhe më pas ata dërgoheshin në Afganistan. Ky municion ishte pjesë e një sasie shumë të madhe municioni të degraduar, pjesë e stokut në Shqipëri. Ngjarjet që tërhoqën vëmendjen e Waxman-it tek Withers ndodhën në 19 nëntor kur, e sikurse pohojnë zyrtarë amerikanë, hetimi i Pentagonit pothuajse kishte përfunduar. Të dhëna kontradiktore lidhur më atë se çfarë u diskutua atë natë janë edhe origjina e debatit mbi rolin e Withers-it në këtë çështje.
Withers tha se ai mori mesazhe nga Fatmir Mediu (atëherë ministër i Mbrojtjes), në të cilat ky i fundit në panik kërkonte të takohej me të (Withers).
Duke pasur frikë se mos ndoshta ministri i Mbrojtjes kishte ndonjë lajm për terrorizëm apo probleme të tilla serioze të ngjashme, Withers ra dakord për t’u takuar me të, së bashku me zyrtarë të tjerë të ambasadës. Takimi zgjati nga 11 p.m. deri në mesnatë.
“Mediu u tha zyrtarëve amerikanë se ai ishte i shqetësuar pas një telefonate që ai kishte marrë nga një reporter i “New York Times”, i cili e kishte pyetur mbi probleme ligjore në të shkuarën dhe për një korrupsion të mundshëm duke i kërkuar të vizitonte aeroportin ditën tjetër për të parë ngarkesën me municione nën kontrollin e ministrisë”, - ka thënë Withers.
Aeroporti ishte njëkohësisht edhe vendi ku AEY bënte operacionet e saj të ripaketimit, proces i cili kishte qenë pjesë e hetimit nga amerikanët, por që më pas u mbyll po prej tyre.
Mediu iu përgjërua Withers-it të ndihmonte duke parandaluar publikimin e një historie që mund të ishte potencialisht dëmtuese. Withers tha se Mediu, në një gjendje emocionale, kishte hedhur sugjerime të tilla si “bllokim i aksesit për reporterin” apo “ripaketim i municionit për të fshehur origjinën kineze të tyre”. Withers tha se ai dhe zyrtarë të tjerë amerikanë të pranishëm në takim nuk dhanë asnjë shenjë me të cilën të tregonin se ata aprovonin këto ide, duke sugjeruar vetëm se Mediu duhet të përgatiste një përgënjeshtrim ndaj artikullit pas publikimit.
Mediu dha dorëheqjen në mars pas një shpërthimi pranë depove të këtyre municioneve si pasojë e të cilit mbetën të vrarë 26 veta. Qeveria shqiptare i hoqi atij imunitetin për t’i hapur rrugë procedimin penal. Ai është akuzuar për korrupsion, por ai vetë e mohon këtë.
Një punonjës i ambasadës, i cili ishte i pranishëm në takim, i thotë ngjarjet në një tjetër mënyrë. Pikërisht kjo tërhoqi vëmendjen e Waxman-it.
Majori Larry Harrison, një këshilltar i Departamentit të Mbrojtjes në ambasadë, thoshte në një memo të brendshme e cila është marrë nga Komiteti (i Kongresit) se ai besonte se ambasadori e kishte aprovuar vendimin e Mediut që atë të natë të zëvendësoheshin etiketat kineze të municionit. Harrison ka ngarkuar me përgjegjësi në këtë memo zyrtarët e ambasadës të cilët refuzuan sugjerimin e tij për të informuar Komitetin Waxman
Në bazë të memos së Harrison-it dhe komenteve të tij drejtuar Komitetit, Waxman iu drejtua me një letër Sekretares se Shtetit, C. Rice në 23 qershor duke cituar evidenca sipas të cilave “Withers ka aprovuar heqjen e evidencave” që municioni shqiptar ishte në fakt kinez. Letra e Waxman-it, e cila u publikua në websit-in e Komitetit në të njëjtën ditë, duket se implikon Withers-in dhe të tjerë zyrtarë të ambasadës në skemën e AEY-së dhe kjo u pasqyrua në mënyrë të gjerë ditën tjetër. Letra e Waxman-it gjithashtu kritikon diplomatët për atë që ai e konsideron përgjigje jo të duhur ndaj pyetjeve të Komitetit, dukë theksuar se ai kishte kërkuar përgjigje në mjaft raste.
Withers tha se kishte mbetur pa fjalë nga akuzat publike të Waxman-it, akuza të cilat ai i cilësonte të pavend, duke pasur parasysh bashkëpunimin e ambasadës me hetuesit e çështjes. Dyshimet e Waxman-it janë nxitur nga fakti që ambasada nuk përmendi fare takimin e 19 nëntorit pasi Komiteti i kishte kërkuar asaj informacion mbi kontaktet me zyrtarët shqiptarë “të cilët kishin lidhje më kontratat dhe aktivitetet e AEY-së”.
Por Withers dhe të tjerë thanë se nuk kishte nevojë të raportonin këtë takim sepse emri i tregtarit të armëve nuk doli. “Në atë kohë, puna e AEY-së në Shqipëri ishte pezulluar dhe se një anëtar i stafit të ambasadës kishte punuar që të sigurohej se ministri i Mbrojtjes nuk rrezikonte çështjen kriminale. Më tej, takimi u përqendrua në shqetësimin e ministrit të Mbrojtjes mbi një reporter gazete dhe jo mbi hetimet qeveritare”, - tha Withers.
Stafi i Waxman-it ka thënë se ata vijojnë të mbeten të interesuar mbi mënyrën se si ambasada ka marrë në konsideratë kërkesën e Mediut. Artikulli i parë mbi AEY-në u publikua disa muaj më vonë dhe detajonte mbi stokun shqiptar të armëve kineze.
Withers dhe zyrtarë të tjerë kanë thënë se Harrison-i që atëherë kishte mohuar në biseda private se ai kishte për synim të akuzonte Withers-in për veprime të gabuara dhe ai ka deklaruar se fjalët e tij janë nxjerrë jashtë kontekstit nga ana e Komitetit.
Harrison-i dhe avokati i tij refuzuan të komentojnë. Waxman, në një prononcim për “Los Angeles Times”, mbrojti punën e panelit të tij, duke e cilësuar atë si “metodike dhe të kujdesshme”.
Ai tha se ishte i zhgënjyer që Withers nuk kishte rënë akoma dakord për të folur me stafin e Komitetit. Departamenti i Shtetit, ditën e enjte i dha leje Withers-it dhe anëtarëve të tjerë të stafit të ambasadës për të folur me vullnetin e tyre me anëtarët e stafit të Komitetit. “Është një zhvillim shumë domethënës nëse zyrtarë të ambasadës detyrohen të dëshmojnë para një grand jurie që heton për vepra kriminale”, - ka thënë Waxman...
Letra e plotë e ambasadorit të SHBA-së në Shqipëri, John Withers, dërguar kongresmenit Henry A. Waxman
Kongresmenit Henry A. Waxman
Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA
Ndërtesa Rayburn 2157
Uashington DC 20515 6143
I dashur z. Kongresmen
Në letrën tuaj të datës 23 qershor drejtuar Condolezza Rice, ju bëni një sërë akuzash sipas të cilave unë dhe anëtarët e stafit tim kishim bërë një sërë gabimesh të rënda lidhur me hetimet për vepra penale ndaj kompanisë AEY. Ju siguroj se të gjitha akuzat e lëshuara janë të gabuara në terezinë e tyre. Pavarësisht kësaj, ajo letër iu dha gazetarëve përpara se të mbërrinte te Sekretarja amerikane e Shtetit, te pala tjetër apo te unë. Ndaj asnjeri nuk pati mundësi të përgjigjej përpara se këto akuza të rënda të publikoheshin në “New York Times”, apo në mediat e tjera kryesore.
Në shenjë respekti do të dëshiroja një takim ballë për ballë me ju për të prezantuar historinë e vërtetë të aktiviteteve të ambasadës amerikane lidhur me kompaninë AEY dhe për të hedhur poshtë akuzat e lëshuara ndaj reputacionit të një kuadri të përkushtuar që shërben në ambasadën amerikane në Shqipëri.
Duke qenë se jam në lëvizje për një konveniencë më të madhe e kam dërguar këtë letër nëpërmjet avokatit tim, Z. J. Michael Hannon. Pa ju bezdisur, për një përgjigje kontaktoni atë në numrin (202)232-1907.
Ju falënderoj paraprakisht për marrjen në konsideratë prej jush të kërkesës sime.
Me respekt
John L.Withers II
Ambasadori i SHBA-së në Shqipëri