“PS kërkoi t’i fitojë zgjedhjet në tavolinë, nuk ka asnjë shpresë t’i fitojë me vota”

Ministri Arben Imami dhe bashkëhartuesi i Kushtetutës në Kuvend
Ministri Arben Imami, një bashkëhartuesi e Kushtëtutës deklaruan në Kuvend se vendimi i PS-së dhe LSI-së për tu bashkuar në një koalicion në prag të zgjedhjeve siç shihet qartë, ka për qëllim, jo realizimin e një të drejte që çdo parti ka për të zgjedhur mazhorancën apo opozitën, por ka për qëllim dëmtimin e procesit zgjedhor.
“Me situatën e re politike të krijuar pas këtij vendimi të LSI-së, ne de facto jemi para gjendjes që në gjysmën e komisioneve zgjedhore të nivelit të dytë dhe të tretë dhe në tavolinat e numërimit të votave, opozita përkundrejt mazhorancës ka shumicën 5 me 2 anëtar në komisione dhe 3 me 1 numërues në tavolinat e numërimit. Në këtë mënyrë, në gjysmën e komisioneve opozita e re pan-socialiste bllokon me votimin e cilësuar 5 me 2 madje edhe pakicën bllokuese për një sërë vendimesh të rëndësishme për procesin zgjedhor. Në gjysmën tjetër të komisioneve, nga katër me tre për mazhorancën me realitetin e ri kalojmë në raportin 4 me 3 për opozitën dhe vijon raporti 3 me 1 për opozitën në tavolinat e numërimit. Pra duan qartazi ti fitojnë zgjedhjet në tavolinë, sepse opozita nuk ka asnjë shpresë për ti fituar zgjedhjet me vota”, deklaroi ai.
Sipas tij, shihet qartë opozita është në keqbesim.
“Vendimi i marrë nuk lidhet me pozicionimet politike, pasi brenda opozitës militon ajo pjesë e qeverisjes së sulmuar drejtpërdrejtë me mjetet e dhunës në 21 Janar. Së pari, zgjedhje në keqbesim nuk mund të ketë. Së dyti që në premisë nuk do të shkojmë në zgjedhje të lira e të ndershme apo thënë ndryshe ‘free and fair’. Nëse opozita do të ishte realisht e interesuar për të shmangur konfliktin, do të kishte tërhequr anëtarin e saj në KQZ për shkak se ai ishte zgjedhur si përfaqësues i një partie të mazhorancës në momentin e dhënë. Opozita ka hedhur idenë se mund të negociojë për anëtarët e komisioneve në nivel të dytë dhe të tretë dhe për tavolinat e numërimit. Domethënë, opozita do të negociojë për një të drejtë që na përket ne si mazhorancë dhe që është e panegociueshme”, theksoi ai.
Në fund të deklaratës së tij, ministri Imami vuri në dukje se institucioni i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, është guri i themelit për një shtet konstitucional dhe demokratik. “Komprometimi i zgjedhjeve pa nisur ato do të pengonte ëndrrën tonë të përbashkët për integrim në Bashkimin Europian dhe do të krijonte premisën për pasoja të tjera më të rënda”, përfundoi Arben Imami.