E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ristani: Vendet e opozitës në KZAZ? Ka hapësirë ligjore

Partia Socialiste ka ende hapësira ligjore për të marrë vendet e saj në Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor, ndonëse ato janë plotësuar. Kreu i këtij institucioni, Arben Ristani, deklaroi dje se “ka hapësira ligjore, që mund t’i plotësojnë vendet bosh që janë aty, ndërsa pjesa tjetër e atyre që ndërkohë janë emëruar, do të jenë pjesë e vendimmarrjes së KQZ të cilën nuk mund ta paragjykoj”. Në këtë mënyrë nuk përjashtohet mundësia e zëvendësimit të komisionerëve jo politikë në 66 KZAZ-të e vendit me ata të PS. “KZAZ-të janë konstituuar, kanë bërë mbledhjen e tyre të parë, kanë zgjedhur kryetarët dhe nënkryetarët sipas rastit, ndërkohë që dhe sekretari është vendosur. Kështu që puna mund të vazhdojë normalisht, pjesa tjetër është çështje e partive politike për të cilën nuk mund t’u them gjë”, u shpreh Ristani. Një javë më parë, KQZ vendosi të vejë në punë KZAZ-të, duke i plotësuar me persona jopolitikë. Socialistët i quajnë këto struktura jo të ligjshme dhe pretendojnë shkarkimin e komisionerëve apolitikë në momentin që do të sjellin kandidaturat. E vetmja hapësirë ligjore për të zgjidhur situatën qëndron te neni 33 i kodit zgjedhor, nen i cili parashikon modalitetet e shkarkimit të komisionerëve, nëse bojkotojnë trajnimet dhe mbledhjet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›