E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS mbledh neser Kongresin, pakete e re per statutin

TIRANE- Socialistët do të mbledhin nesër, në orën 11:00, në Pallatin e Kongreseve, kongresin e tyre të lajmëruar tashmë.

Ende nuk dihet nëse përveç broshurës të ndryshimeve në statutin e PS-së, grupi i punës do të paraqesë si alternativë edhe një tjetër material me propozimet që u bënë si në Asamblenë Kombëtare, ashtu edhe nga baza e partisë, të cilat nuk janë reflektuar në dokumentin që u është shpërndarë delegatëve.

Ndryshimet statutore do të miratohen në këtë kongres, ndërsa nuk do të ketë votim për programin e partisë- shkruan sot GSH. Për këtë dokument do të pranohen diskutime dhe propozime dhe në ditët në vijim dokumenti do të fillojë të pasurohet zonë më zonë të Shqipërisë me ide të reja, ashtu siç ndodhi edhe me programin elektoral të para zgjedhjeve të 28 qershorit 2009.

"Gazeta Shqiptare" duke iu referuar burimeve nga mbledhja e djeshe grupit të punës se Kongresit eshte rrëzuar një propozim i ardhur për mosrikandidimin e kryetarit të PS-së pasi ai humbet zgjedhjet dhe jep dorëheqjen. Një ide e tillë ishte e përfshirë në paketën e propozimeve për ndryshime në statutin e PS-së nga Lëvizja për Mendim Ndryshe, para Kongresit të 29 gushtit 2009.

Fillimisht kongresi do të hapet me fjalën e kryetarit të partisë, Edi Rama, i cili do të bëjë një analizë të situatës politike dhe aksionit opozitar të PS-së. Më pas diskutimet do të përqendrohen rreth temës: "Kriza e demokracisë dhe ekonomisë, roli i PS-së në kapërcimin e saj".

Kongresi duket se nuk do të ketë ndonjë nismë që të kërkojë të zyrtarizohet për ndryshime në strukturat drejtuese të partisë. Duket se lëvizjet do të tentohen të shmangen këtë herë, duke mos dashur të anashkalohet vëmendja e opinionit publik nga protesta e radhës, ajo e 30 prillit në bulevardin kryesor të Tiranës.
(s.g/GSh/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›