E Diel, 1 Nëntor 2026

PS mbledh sot Asamblenë Kombëtare Prezantohen kriteret e kandidatëve

08/05/2009  Lidershipi i Partisë Socialiste mbledh sot Asamblenë Kombëtarë, e cila pritet të kalojë ndër të tjera çështjet që kanë të bëjnë me organizimin elektoral të kësaj partie. Kështu, në prag të çeljes në mënyrë zyrtare kupola rozë vendosi të thërrasë forumin më të lartë vendimmarrës të kësaj partie, edhe pse prej një kohë relativisht të gjatë janë shpërfillur si thirrja e Asamblesë Kombëtare, ashtu dhe kryesia e Partisë Socialiste. Qëndruar në axhendën e punimeve të kësaj mbledhje, bëhet me dije se në rend të ditës do të jetë pikërisht diskutimi dhe miratimi i dokumentin zgjedhor, pra i organizimit elektoral të PS-së deri në 28 qershor, i kritereve që do të zgjidhen kandidatët, forma përfundimtare e prezantimit të programit të ri qeverisës të kësaj partie, si dhe ndarja grupeve të punës për të bërë prezantim e tij. Por konkretisht, duke u ndalur te dokumenti zgjedhor mësohet se ai përmban organizimin zgjedhor, pra mënyrën se si do të veprojë PS-ja gjatë fushatës elektorale në ditën e zgjedhjeve, si dhe në numërimin e votave. Ndërkohë gjatë kësaj mbledhje pritet të diskutohet dhe për disa nga çështjet me të rëndësishme sa i takon këtij procesit zgjedhor, që janë listat e votuesve dhe kartat e identitetit. Kështu, pritet një informacion mbi dhënat e deritanishme mbi këto dy çështje, pasi grupet e punës kanë qenë të ngarkuara jo vetëm me evidentimin e listave të votuesve, por njëkohësisht duhej të punohej fort që votuesit të identifikuar si mbështetës të PS-së, të pajisen me letërnjoftimet elektronike, sidomos votuesit pa pasaportë. Ndërsa sa i takon faktit se gjatë mbledhjes së sotme Asambleja Kombëtare do të kalojë dhe kriteret mbi të cilat do të përzgjidhen kandidatët për deputetë, kjo është më shumë formale, pasi tashmë lidershipi socialist ka nisur përpilimin e kësaj liste. Do të jetë kjo mbledhje ajo që do të thërrasë kongresin elektoral të PS-së, i cili do të kalojë, të paktën me sa pritet, listën zyrtare të kandidatëve për deputetë që do të përfaqësojnë Partinë Socialiste në garën elektorale për zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit.

Kreu socialist shpalos premtimet për emigrantët

“Sigurimet shoqërore, emigrantët nuk do të humbin asnjë ditë pune”

Kryetari i partisë Socialiste Edi Rama bëri me dije dje lidhur me atë çfarë përmban programi i ri qeverisës i kësaj partie për emigrantët shqiptarë. Gjatë fjalës së tij Rama vuri në dukje se “politika jonë e re e ndryshimit do të synojë dhe do të realizojë transformimin e shërbimeve në ambasada dhe konsullata për shqiptarët e shqiptaret, në shërbimet e standardeve evropiane të njëjta me ato shërbime që motrat dhe vëllezërit tanë marrin në sportelet e atyre vendeve ku jetojnë, si qytetarë dinjitoz të atyre vendeve”. Sipas tij, është e papërfytyrueshme që në shekullin e 21-të, në kohën e teknologjisë së lartë, emigrantët të detyrohen të marrin rrugën, të lënë punën, të privojnë veten dhe familjen e tyre nga të ardhurat e shumë ditëve punë për të bërë aplikimin për pasaportë këtu në Shqipëri. “Këtë ne do ta ndryshojmë me politikën tonë të re të ndryshimit. Ne do të bëjmë të mundur që në një sërë sportelesh kryesore, në Evropë, Amerikë, Kanada, emigrantët e emigrantet shqiptarë të mund të aplikojnë dhe të marrin pasaportën biometrike. Është nga ana tjetër, është e domosdoshme që i gjithë mundi i tyre për efekt pensioni të njihet përmes marrëveshjes dypalëshe mes vendit tonë dhe Greqisë, mes vendit tonë dhe Italisë”, - nënvizoi Rama. Madje, duke shkuar më tej, kreu socialist premtoi se “ne do të bëjmë një politikë të re ndryshimi edhe në këtë aspekt dhe do të bëjmë marrëveshje dypalëshe për sigurimet shoqërore të të gjithë emigrantëve shqiptar, të cilët nuk do të humbin asnjë ditë pune lidhur me sigurimet shoqërore dhe pensionin”. Njëkohësisht Rama garantoi se “me ardhjen në pushtet të PS-së do të punohet për ta kthyer alternativën e ‘Grupimit-99’ për votën e emigrantëve në një projekt të qartë dhe të përcaktuar, të cilin të gjithë aleatët e koalicionit tonë të ‘Bashkimit të ri për Ndryshim’ do ta njohin si projektin e tyre të përbashkët”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›