Rama refuzon Xhaferrin: “Pres vendimin e Kushtetueses”
08/05/2009 Komisioni hetimor zhvillon mbledhjen e dytë
Agjencia e Prokurimeve Publike dhe Këshilli i Rregullimit të Territorit i Bashkisë u renditën në krah të deputetëve të mazhorancës kundër kreut të Bashkisë së Tiranës Edi Rama. Të pranishëm në një seancë dëgjimore të komisionit hetimor “Rama-2” për lejet e ndërtimit, drejtoresha e Agjencisë Klodiana Cankaj dhe anëtar i KRT-së Marin Biçoku kanë deklaruar pranë anëtarëve të mazhorancës se Bashkia ka shkelur ligjin për të gjitha lejet e ndërtimit që janë dhënë që nga vitit 2007. Ndërkohë kreu i Bashkisë Rama ka refuzuar kërkesën e komisionit për të “dëshmuar”, si dhe kërkesën për të paraqitur informacionin e kërkuar. Në shkresën e dërguar drejt Kuvendit kryebashkiaku ka deklaruar se nuk do t’i përgjigjet asnjë kërkese të komisionit pa u shprehur më parë Kushtetuesja.
Opozita e Ramës
“Nga një hetim i përciptë evidentojmë se në vitin 2008 procedura e përzgjedhur nga Bashkia është e gabuar për të gjitha rastet e projektimeve dhe jo vetëm të ndërtimit të objekteve. Bashkia e Tiranës operon me procedurë të hapur, që është procedura e gabuar në këtë rast, pasi ligji detyron procedurën e shërbimit të konsulencës”, - deklaroi drejtoresha Cankaj. Sipas saj, APP-ja ka nisur hetimin vetëm pas ngritjes së komisionit parlamentar, hetim i cili ka vërtetuar shkeljet me prokurimet, ku fondi i përcaktuar për një ndërtim ka qenë gjithnjë pranë atij limit. “Po t’u referohemi dokumenteve të Bashkisë, në këtë rast ajo ka gjetur një formë pikëzimi, sepse e ka pasur të pamundur ta aplikojë këtë procedurë të hapur. Për këtë Bashkia ka bërë një adoptim të dokumenteve të tenderit, duke shkelur ligjin e prokurimeve. Askush nuk mund të bëjë ndërhyrje në dokumentet standarde të tenderit dhe mënyra e pikëzimit e aplikuar nga Bashkia është në kundërshtim me ligjin”, - vijoi drejtoresha. Edhe anëtari i KRT-së Marin Biçoku ka bërë përgjegjëse Bashkinë për çdo parregullsi me lejet. Sipas tij, janë vlerësuar të miratuara projekte që nuk kanë marrë miratimin e këshillit bashkiak. “KRT-së i janë vënë përpara të shqyrtojë dosje pa ligje, pra pa ligjet vendore dhe kjo sigurisht vështirëson punën. KRT-ja nuk i kishte rregullat e lojës, sepse Bashkia asnjëherë nuk ka dashur t’i hartojë këto rregulla të lojës”, - deklaroi Biçoku.
Refuzimi
Në seancën e djeshme hetimore, i thirrur për t’iu përgjigjur interesimit të deputetëve të mazhorancës, karrigia ku duhej të ulej Edi Rama mbeti bosh. Kryetari i komisionit, Ferdinand Xhaferri, e cilësoi përgjigjen refuzuese të kryebashkiakut një marrëzi ligjore. “Një individ nuk mund të pengojë vendimin e sovranit. Vetëm Gjykata Kushtetuese mund të pezullojë veprimtarinë e komisionit hetimor. Neni 23 i Kushtetutës thotë se e drejta e informimit është e garantuar dhe kushdo ka të drejtë të marrë informacion mbi veprimtarinë e organeve shtetërore dhe personave që i drejtojnë ato”, - tha Xhaferri. Në përgjigjen e saj Bashkia e Tiranës, duke argumentuar se ky komision hetimor është miratuar në papajtueshmëri të plotë me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe në kundërshtim flagrant me ligjin, i është përgjigjur zyrtarisht Kuvendit se nuk do të zbatojë asnjë kërkesë të Komisionit Hetimor të Kuvendit përpara se të shprehet Gjykata Kushtetuese.