E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS ndan zonat elektorale

18/01/2012  Pas katër orë debati miratohet ndarja e deputetëve që do të drejtojnë fushatën e vitit të ardhshëm

Kryesia vendos të thërrasë Asamblenë, përjashtohet përfundimisht Islami

Ndarja e zonave dhe mënyra e përfaqësimit të anëtarëve të kryesisë së Partisë Socialiste ishte pika më e nxhetë e debatit në mbledhjen që zhvilloi mbrëmë ky forum. Për rreth katër orë anëtarët e kryesisë diskutuan mbi disa çështje ku më të rëndësishmet ishin pikërisht përfaqësimi në bazë i këtyre anëtarëve dhe miratimi i axhendës poltike të kësaj partie. Po ky takim vendosi që ditën e diel në datë 22 janar të thërrasë Asamblenë Kombëtare të PS-së. Në mbledhjen e mbrëmshme kryesia e Partisë Socialiste miratoi axhendën politike për periudhën janar-korrik 2012. Njëkohësisht në këtë mbledhje u vendos në parim që anëtari i kryesisë të mbulojë në mënyrë gjeografike zonat elektorale gjatë përgatitjes për fushatën elektorale të radhës. Mbi një çështje të till mësohet se debati ka qenë i gjatë, ku diskutimet janë fokusuar në efektivitetin që do të kishte ky përfaqësim apo ai i aplikimit sipas tematikave. Megjithatë në fund të diskutimeve kryesia ka miratuar në parim pikërisht ndarjen me mbulim gjeografik, për t’ia deleguar Asamblesë Kombëtare formalizimin e një vendimi të tillë. Gjithashtu, në këtë mbledhje u miratua dhe axhenda politike e kësaj partie, ku fokusi kryesor është pikërisht oponenca parlamentare. Në funksion të realizimit të një rol sa më të fortë në aspektin institucional, kupola rozë ka piketuar dhe shtyllat ku do të fokusohet axhenda parlamentare e PS-së, e cila përfshin një plan veprimi për përmbushjen e rekomandimeve të Komisionit Europian, futjen në rrugën e zgjidhjes të një sërë reformash, kontroll parlamentar ndaj keqqeverisjes, ndërmarrje e nismave ligjvënëse në interes të mbi 90% të popullsisë, gjallërim i veprimtarisë dhe maksimalizim të efekteve dhe të kontakteve në terren. Po kështu kjo mbledhje formalizoi dhe vendimin e grupit parlamentar të PS-së, për çregjistrimin e deputeti Kastriot Islami, nga ky grup. Por një tjetër pikë e marrë në shqyrtim vetëm në fund të mbledhjes, ishte kërkesa e PD-së për shkarkimin e nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu, ku ligjvënësit socialist, sipas vendimit të kryesisë, nuk do të jenë pjesë e punimeve parlamentare në komisionin e ligjeve. Për të çtensionuar atmosferën e krijuar në këtë mbledhje të stërgjatë, anëtarët e kryesisë e kanë mbyllur atë më urimin drejtuar deputeti Blendi Klosi me rastin e ditëlindjes së tij.

Vendimi për Metën

Partia Socialiste e Shqipërisë e konsideron vendimin e djeshëm të Gjykatës së Lartë të Shqipërisë dëshminë më alarmante të rënies së rendit ligjor dhe shtetit të së drejtës. “Faktin më tronditës të thërrmimit të parimit kushtetues ‘Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit’. Provën e përsëritur dhe më të padiskutueshme, të kapjes përfundimtare të Gjykatës së Lartë e të vendosjes së pushtetit gjyqësor nën kontrollin e pushtetit politik të Sali Berishës”, thuhet në qëndrimin zyrtar të Kryesisë së PS-së. Më tutje aty konstatohet se ky vendim ka konsoliduar “kulturën e pandëshkueshmërisë”, pas tre vendimeve të njëpasnjëshme të së njëjtës Gjykatë për tre raste flagrante të korrupsionit në nivelin më të lartë qeveritar. “Konfirmim të lidhjes së shkurtër mes aktivitetit kriminal të politikës në pushtet dhe drejtësisë si garante e kësaj të fundit. Nëpërkëmbje të parimit kushtetues të “drejtësisë shoqërore” si baza e shtetit dhe zëvendësimin e këtij parimi me “padrejtësinë shoqërore” si vazhdë në procesin qeverisës. Shembullin më të keq të bashkëfajësisë së pushtetit gjyqësor, në mes të një vale të re të korrupsionit me prapavijë qeveritare, me pasoja të rënda për ekonominë kombëtare dhe atë familjare të qytetarëve shqiptarë. Shtysë të drejtëpërdrejtë negative në profilizimin e përvitshëm të Shqipërisë si një regjim hibrid dhe i korruptuar, larg vlerave e parimeve të familjes europiane”, vazhdon deklarata.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›