E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Berisha të dëgjojë OSBE



Aristir Lumezi

“Uroj me gjithë zemër që Qeveria dhe përkatësisht zoti Berisha t’i dëgjojë kambanat që bien nga të katër anët, përpara se kriza të bëhet e padurueshme për popullin”, u shpreh Rama.
Vetëm pak minuta pas publikimit të deklaratës së kryetarit të Asamblesë Parlamentare të OSBE, Joao Soares, në të cilën nënvizohet marrja në konsideratë e kërkesave të opozitës për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, kreu socialist Edi Rama falënderoi mbështetjen e OSBE-së për atë që ai e quajti “mirëkuptim të plotë ndaj shqetësimeve të opozitës shqiptare”.
“Përshëndes me mirënjohje Presidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për mirëkuptimin e plotë dhe tërësor të shqetësimeve tona shprehur në deklaratën e tij për shtyp. Ne jemi plotësisht e tërësisht në një mendje me sa shkruhet në këtë deklaratë lidhur me ndërmarrjen e një hetimi të plotë e tërësor të zgjedhjeve, bazuar në Kushtetutën dhe vendimin përkatës të Gjykatës Kushtetuese për hetimin parlamentar. Kjo është gjithçka kërkojmë dhe jam i lumtur të them se me Presidentin Soares ramë gjithashtu në një mendje që hetimi parlamentar as mund të kufizohet e as mund të kushtëzohet”, u shpreh Rama në një konferencë për shtyp pas vizitës së tij në Vjenë.
Bojkoti
Duke ju referuar rekomandimeve të OSBE për rikthimin e opozitës në Kuvend, Rama nënvizoi se partia që ai drejton është e gatshme ti japë fund bojkotit, menjëherë pasi t’i hapet rruga hetimit të plotë të zgjedhjeve. “Rishpreh vullnetin tim për të mbyllur bojkotin me tu mbyllur përpjekjet e Qeverisë për ta kufizuar dhe kushtëzuar komisionin parlamentar duke nxjerrë kutitë e votimit nga objekti i hetimit. Demokracia nuk është në krizë sepse opozita është në bojkot, ne jemi në bojkot sepse demokracia është në krizë. Fundi i kësaj krize fillon me transparencën e plotë të zgjedhjeve” u shpreh Rama. Ndër të tjera kryesocialisti i bëri thirrje kreut të Qeverisë të dëgjojë kambanat, që sipas tij, po bien nga të gjitha anët për hetimin tërësor dhe të plotë të zgjedhjeve. “Tani tërë bota kërkon hetim të zgjedhjeve dhe vetëm OSBE sot ka kërkuar publikisht që zgjedhjet të heton plotësisht e tërësisht. Uroj që Qeveria dhe përkatësisht zoti Berisha të dëgjojë kambanat që bien nga të katër anët përpara se kriza të bëhet e padurueshme për popullin që i dëgjon të gjitha kambanat” theksoi Rama. Duke folur për bojkotin e deputetëve socialistë ndaj Parlamentit, kreu i PS u shpreh se shkak për këtë bojkot është kriza që ka përfshirë demokracinë në Shqipëri. “Demokracia shqiptare nuk është në krizë, sepse opozita është në bojkot. Ne jemi në bojkot sepse demokracia është në krizë. Dhe fundi i kësaj krize fillon me transparencën e plotë, tërësore, të pakufizuar e të pakushtëzuar të zgjedhjeve. Jo për të ndryshuar rezultatin po për të shembur sistemin e korrupsionit elektoral. Tanimë tërë bota kërkon hetim të zgjedhjeve dhe vetë OSBE-ja që ka shkruar raportin e zgjedhjeve sot ka kërkuar publikisht që zgjedhjet të hetohen plotësisht e tërësisht”, u shpreh Rama. Një delegacion i PS i kryesuar nga kryetari i saj, Edi Rama, në përbërje të të cilit ishin edhe Sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë, Arta Dade e deputeti Arben Ahmetaj zhvilloi takime në selinë e OSBE-së në Vjenë lidhur me krizën politike në të cilën ndodhet vendi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›