E Diel, 1 Nëntor 2026

PS nis llogaritjen e të besuarve dhe të lëkundurve

08/12/2008  Çdo anëtar partie ka në patronazh 30 deri në 50 votues për të zhvilluar testin e matjes së elektoratit në prag fushate

Komunikim i drejtpërdrejtë me të gjithë votuesit për përkatësinë politike dhe për t’i tërhequr drejt votimit

Deri në fund të këtij muaji strukturat drejtuese të Partisë Socialiste në çdo rreth duhet të kenë përfunduar punën me listat e votuesve, së bashku me përkatësinë e tyre partiake. Me përpilimin e listave të votuesve fillon puna për identifikimin e bindjeve politike të çdo zgjedhësi. Për këtë arsye strukturat drejtuese në rang qarku, bashkie apo komune bëjnë dhe ndarjen e zonave të banimit me qëllim që çdo anëtar partie të fillojë menjëherë nga puna. Ndërkohë, me rëndësi të veçantë është mënyra sesi do të punohet me të gjitha kategoritë e votuesve. Pikërisht për këtë çështje lidershipi i Partisë Socialiste ka bërë dhe ndarjen në katër grupime të votuesve, ku në bazë të përkatësive do të bazohet e gjithë puna pas përfundimit të fazës së përgatitjes së listave të votuesve dhe përkatësisë së tyre politike. Paraprakisht, nga drejtuesit e lartë të Partisë Socialiste është vendosur që me atë pjesë të elektoratit, e cila identifikohet si e djathtë të mos humbet kohë me takime apo me mesazhe kundër qeverisjes aktuale. Por sipas kësaj strategjie duhet të mbahet në kontakte të vazhdueshme ajo pjesë e votuesve, të cilët janë të pakënaqur nga qeverisja e djathtë, ashtu sikundër është dhe kategoria e të pakënaqurve nga e majta parlamentare. Pjesë kjo për të cilën do të ketë një projekt të veçantë për të rikthyer besimin tek e majta, e sidomos tek Partia Socialiste.

Procesi

Sipas strategjisë së hartuar nga lidershipi i PS-së, çdo anëtar partie ka për detyrë të identifikojë bindjet politike të 30 apo 50 votuesve. Kjo sipas ndarjeve të përcaktuara nga struktura drejtuese socialiste në qark, bashki dhe komunë. Komunikimi i anëtarëve të PS-së me votuesit është i drejtpërdrejtë, duke shkuar derë më derë dhe duke drejtuar pyetjet përkatëse mbi këtë proces. Por, paraprakisht socialistët kanë bërë dhe një ndarje në kategori të përkatësive partiake. Kështu me numrin 1 janë të identifikuar mbështetësit socialistë. Me numrin 2 janë të lëkundurit apo të pakënaqurit nga PS. Me numrin 3 të pakënaqurit nga djathta qeverisëse dhe me numrin 4 janë mbështetësit e PD-së. Në bazë të kësaj ndarjeje, anëtarët e PS-së duhet të radhisin dhe emrat e votuesve. Por komunikimi dhe mbledhja e të dhënave për çdo votues duhet të përfundojë në fund të këtij muaji. Ndërkohë që bashkë me etiketimet partiake, për votuesit duhet të sigurohet dhe një numër telefoni qoftë ky celular apo fiks. Momentalisht, edhe pse kanë mbetur dhe dy javë deri në përfundim të kësaj faze, Partia Socialiste po përgatit të dhënat informatike për votuesit shqiptar në çdo rreth. E thënë më qartë, të gjitha strukturat drejtuese socialiste në rrethe kanë pothuajse gati listat e votuesve të këtyre zonave. Por synimi i nxjerrjes së këtyre listave, ku natyrisht janë personale për këtë parti, lidhet pikërisht me evidentimin e përkatësive politike të çdo votuesi. Kështu, të gjithë anëtarët e PS-së, pas përpunimit të këtyre listave, kanë nisur punën duke kontaktuar drejtpërsëdrejti me të gjithë votuesit.

Postprocesi

Pasi anëtarët mbarojnë mbledhjen e gjithë të dhënave për çdo votues i përcjellin ato në qendër. Lidershipi i PS-së pas përgatitjes së të gjithë informacionit në shkallë vendi starton fazën e dytë. Kjo fazë, e cila përbën një moment mjaft të rëndësishëm për të gjithë fushatën elektorale të PS-së, konsiston në mënyrën sesi strukturat partiake do të jenë sa më bindëse për të gjitha kategoritë e votuesve, me qëllim që ato të jenë mbështetëse për të majtën. Kështu, paraprakisht është menduar që t’u kushtohet rëndësi e veçantë asaj pjesë të elektoratit, të cilët janë të lëkundur, si përballë PD-së ashtu dhe PS-së. Komunikimi me këtë pjesë do të jetë si i drejtpërdrejtë ashtu dhe telefonik. Ku më së shumti do të përgatiten tekste standarde mesazhesh dhe do t’iu dërgohen nga PS. Po kështu, dhe për elektoratin socialist do të ketë komunikim, por ky do të jetë më shumë sesa bindës ai do të jetë i përqendruar thjesht angazhues.

Rama për zgjedhjet

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka bërë me dije herë pas herë për përgatitjet e partisë që ai drejton në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Por në të gjitha këto deklarata nuk ka munguar thirrja e tij për një bashkim përtej të majtës dhe të djathtës, me qëllim shkëputjen njëherë e përgjithmonë nga politika e vjetër. Ndërkohë që po në këtë drejtim, kreu socialist nuk ka harruar që të japë dhe në mesazh miqësor për ligjvënësit socialistë. Kështu, sipas këshillës së Ramës, parlamentarët duhet të ambientohen tashmë me sistemin e ri zgjedhor, pasi nuk do të jenë më vetëm deputetë zonash të caktuara zgjedhore, por deputetë për të gjithë qarkun.

Lista votuesve

Partitë Socialiste të çdo rrethi duhet të përcaktojnë listën e votuesve të tij.

Në bazë të numrit të zgjedhësve, bëhet dhe ndarja e numrit të tyre për secilin anëtar partie.

Çdo anëtar partie duhet të ketë në patronazh nga 30 deri në 50 votues.

Komunikimi i anëtarëve të PS-së me zgjedhësit konsiston për evidentimin e përkatësisë politike të çdo votuesi.

Komunikimi duhet të jetë i drejtpërdrejtë, ku veç bindjes politike duhet mbajtur shënim dhe një numër telefoni.

Kategoritë e votuesve

Me numrin “1” identifikohen të gjithë ato votues, të cilët rezultojnë mbështetës të Partisë Socialiste.

Përkrah numrit “2” do të shënohen emrat e votuesve, të cilët rezultojnë të lëkundur të majtë.

Përkrah numrit “3” do të radhiten emrat e votuesve, të cilët janë të pakënaqur nga e djathta.

Me numrin “4” do të identifikohen ato zgjedhës, të cilët janë mbështetës të Partisë Demokratike.

E gjithë puna do të jetë e përqendruar më së shumti tek votuesit që i përkasin kategorisë “2” dhe “3”

Administrimi i procesit zgjedhor

Lidershipi i LSI-së i fokusuar tek Kodi Zgjedhor

E gjithë vëmendja e lidershipit të Lëvizjes Socialiste për Integrim është e përqendruar tek Kodi i ri Zgjedhor. Rikthimi për rishqyrtim i ligjit elektoral në Kuvend nga ana e kreut të shtetit, Bamir Topi, ka zgjuar shpresat e partive parlamentare që e kontestuan atë për një realizimin e një kodi gjithëpërfshirës, sikundër pretendojnë vetë përfaqësuesit e këtyre partive. Ndërkohë, LSI-ja, veç përgatitjeve për fushatën e ardhshme elektorale për zgjedhjet parlamentare, ku kjo parti ka paralajmëruar se nuk do të ketë bashkëpunim me PS-në, i ka kushtuar një rëndësi të veçantë pikërisht ndërgjegjësimit të mbarë opinionit publik dhe atij ndërkombëtar për mangësitë që ofron Kodi Zgjedhor i miratuar pak kohë më parë në Kuvend. Madje, në funksion të kësaj çështjeje, LSI-ja së bashku me PDK-në e PS 91 pati zhvilluar dhe një grevë urie. Pas kësaj nisme, duke vijuar qëndrimin e tyre kundër Kodit të ri Zgjedhor, konkretisht për atë pjesë të tij që lidhet me administrimin e zgjedhjeve, përfaqësuesit parlamentarë të sapo dalë nga greva e urisë patën bërë gati strategjinë e tyre, për t’i shkuar në fund kauzës së tyre, mbrojtjen e votës së lirë. Për këtë arsye, do të jenë një sërë drejtimesh që do të përbëjnë këtë aksion qytetar. Si fillim qe protesta në shesh, që dha sinjalin e parë të kësaj etape të dytë, e cila pritet të pasojë me tubime mbarëkombëtare. Por një tjetër element i saj është dhe ankimi në Kushtetuese i asaj pjesë të kodit të kontestuar në vijimësi nga partitë e vogla parlamentare. Por duke i qëndruar besnik kësaj kauze, kreu i LSI-së, Ilir Meta, shkoi deri aty sa dy ditë më parë i lëshoi një ftesë për takim kreut të PS-së, Edi Rama, për të diskutuar pikërisht për këtë çështje. Kështu, meqenëse ka ende kohë për t’u bërë rishikimi i Kodit, Meta zbuti tonet ndaj kreut të PS-së dhe e ftoi atë të diskutojë në emër të evitimit të tensionit përpara zgjedhjeve dhe gjatë zgjedhjeve, si dhe në emër të garantimit të standardeve ndërkombëtare për realizimin e zgjedhjeve të ndershme.

Pritet miratimi në Kuvend i ligjit elektoral

Rivotimi i Kodit përcaktues për datën e zgjedhjeve

Seanca parlamentare e kësaj jave do të jetë përcaktuese për datën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të vitit 2009. Kështu, pritet që këtë javë Kuvendi të miratojë propozimin e ardhur nga socialistët dhe demokratët lidhur me Kodin Zgjedhor, ku kërkesës së Presidentit Topi për rishikimin e neneve që lidhen me përcaktimin e datës së zgjedhjeve forcat parlamentare i përgjigjen me një dispozitë kalimtare. Por që do të jetë ky rivotim ai, i cili do të mbyllë në mënyrë përfundimtare debatin për ligjin elektoral. Kjo për vetë faktin se miratimi i tij bashkë me ndërhyrjen e re në ligj do t’i kalojë në respektim të procedurave ligjore, Kodi do t’i kalojë sërish Presidentit, i cili tashmë është i detyruar që ta dekretojë atë, pavarësisht ekzistencës apo jo të ndonjë kontestimi nga ana e këtij institucioni mbi këtë ligj. Në të njëjtën kohë, edhe pse mes partive parlamentare rikthimi i Kodit të ri Zgjedhor nga ana e Presidentit Topi u pa si një sinjal, i cili do të rikuperonte atë pjesë të këtij kodi të kontestuar me forcë nga “të vegjlit”, propozimi dhe qëndrimi i PS-PD nuk lë më shteg për debate. Kështu, seanca parlamentare e ardhshme pritet të shoqërohet me debatet e fundit mes forcave kryesore dhe të vegjëlve në Kuvend. Ndërkohë, rikthimi i Kodit Zgjedhor nga ana e kreut të shtetit për rishqyrtim në Kuvend risjell me vete dhe një marrëveshje të re mes dy partive kryesore në vend. Sërish pritet që vetëm PS-PD të bien në ujdi me njëra-tjetrën për çështjet mbi të cilat kërkohet saktësim juridik nga ana e Presidentit Topi. Sikundër dhe u publikua, arsyeja për të cilën kreu i shtetit Topi nuk e dekretoi këtë ligj lidhej me dispozitën e nenit 9, pika 2 e tij, rregullim që sipas vlerësimit të Presidentit binte ndesh me nenin 8 të ligjit të ardhur për shpallje. Kështu, referuar një çështjeje të tillë, ekspertët juridik të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike kanë propozuar që një përplasje e tillë të kalohet me një dispozitë kalimtare. Konkretisht, sipas këtij propozimi, asnjëri nga këto dy nene nuk do të ndryshohet, por që përmes një dispozite ligjore të cilësohet se këto dy nene nuk do të merren në konsideratë nga ana e Presidentit për zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Paraprakisht, PS-PD kanë rënë dakord me një propozim të tillë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›