E Diel, 1 Nëntor 2026

“Rama shpif, shkak dështimi i tij”

08/12/2008  PD akuza për socialistët

Partia Demokratike vijoi dhe dje me akuza të ashpra ndaj kreut të PS-së, Edi Rama. Zëdhënësi i kësaj partie, Gerti Bogdani, gjatë një konference për shtyp duke iu referuar deklarimeve të PS-së lidhur me rrugën Durrës-Kukës, u shpreh se “Edi Rama, armik i egër i rrugës Durrës – Kukës – Prishtinë, njeriu që i vari në gjoks çelësat e Bashkisë së Tiranës Bregovicit për urrejtjen e tij primitive ndaj shqiptarëve të Kosovës, nxori në tregun politik, nëpërmjet ish-trafikantit të vizave dhe qenieve njerëzore, zëdhënësit të tij Balla, shpifjen e radhës për korridorin e shqiptarëve”. Madje, sipas tij, të gjitha qëndrimet që vijnë nga socialistët nuk janë gjë tjetër veç shpifjeve. “Ai akuzoi Kryeministrin e vendit dhe ish-ministrin e Transporteve për shumën prej 320 milionë eurove, për shkakun dhe tmerrin e tij të vetëm, se rruga po ecën me shpejtësi drejt përfundimit, dhe se së bashku me të vjen dështimi përfundimtar i armiqve të saj, të cilët me z. Rama në krye janë munduar për të sabotuar projektin më historik të kombit shqiptar. Partia Demokratike duke dënuar farsën e ulët të shpifjeve dhe trillimeve të z. Rama dhe shpurës së tij, shpreh mbështetjen e plotë dhe totale për realizimin në kohë të këtij projekti të papërsëritshëm në historinë e vendit”, vlerësoi Bogdani.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›