E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS nis programin per fshatin

13/03/2012  Programi i ri, PS tryezë për bujqësinë dhe zhvillimin rural, Rama risjell premtimet e 2009-s

“Ky sektor është pjesë integrale e planit kombëtar të zhvillimit si vend evropian”

Zhvillimi rural ishte çështja e radhës për të cilën Partia Socialiste organizoi tryezën e konsultimeve për hartimin e programit të ri politik. Në vlerësimin e socialistëve qeverisja e djathtë nuk ka ndërmarrë asnjë reformë në këtë sektor, duke e lënë atë të pazhvilluar. Por nesër në qeverisje PS-ja premton një rilindje të bujqësisë dhe zhvillimit rural në vend.

Tryeza

Partia Socialiste i ka zhvendosur premtimet e saj te sektori bujqësor, duke trumbetuar një transformim rrënjësor të tij. Në tryezën e zhvilluar dje për zhvillim rural kryetari i PS-së, Edi Rama, pasi lëshoi një sërë kritikash mbi politika e ndjekura deri më tani nga qeverisja e djathtë, insistoi në ndërmarrjen e reformave radikale. Në vlerësimin e tij fshati shqiptar vijon të shfaqet si në mesjetë dhe do të mbetet në atë gjendje, nëse nuk kryhen reforma që do ta transformonin dhe ti kthenin rëndësinë. Për këtë arsye kryetari i socialistëve vuri në dukje faktin se “bujqësia dhe zhvillimi rural në tërësi duhet të jenë pjesë integrale e planit kombëtar të zhvillimit të Shqipërisë si vend evropian dhe jo të jetë territor eksperimentesh dhe territor ku politikat e qeverisë ndryshojnë sipas stinëve të të menduarit të kryeministrit apo të ministrit të radhës. Dhe Shqipëria bëhet një herë vendi i arrave, pastaj vendi i rrushit, ndërkohë që mbetet edhe pa arra, edhe pa rrush”. Në funksion të përmirësimit të një situate të tillë Rama premtoi se programi i PS-së do ti japë jetë një zhvillimi rural. Madje, për të përforcuar më tej një premtim të tillë, Rama risolli në kujtesë projektin e PS-së për ngritjen e një ministrie për fshatin, premtim ky i bërë nga kjo forcë politike që gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. “Sot Shqipëria eksporton 8-9 herë më pak prodhime bujqësore sesa importon. Kjo është një shifër që jo vetëm nuk e ka asnjë vend europian, asnjë vend ballkanik, por përbën një raport të papranueshëm. E ky program dhe qeverisja jonë duhet patjetër ta atakojnë këtë shifër si një shifër që tregon se çfarë duhet të ndryshojë rrënjësisht në aspektin e prodhimit bujqësor”, - u shpreh Rama.

Deklarata

Në fjalën e tij kreu socialist sqaroi faktin se “kur flasim për zhvillimin rural, ne vendosim një vijë të qartë ndarëse me ata që sot e keqqeverisin fshatin shqiptar dhe që të gjithë marrëdhënien e qeverisë me fshatin e mbajnë mbyllur në kornizën e pamjaftueshme të zhvillimit të bujqësisë”. Po në këtë linjë kryetari i PS-së shtoi se zhvillimi rural është shumë më tepër sesa zhvillimi i bujqësisë. “Një ekonomi rurale moderne dhe produktive është shumë më tepër sesa vetëm ekonomia bujqësore. Furnizimi i tregut të brendshëm me produkte ushqimore, të cilat deri më sot importohen, duke gjeneruar të ardhura të larta dhe duke përmirësuar standardet e jetës në fshat, lidhet me zhvillimin rural si një koncept bazë i vizionit tonë për fshatin.”

Pronat Rama: Gjendja skandaloze, sidomos në zonat rurale të vendit

“Për ne është po ashtu e pandashme rruga drejt një zhvillimi modern rural me rrugëzgjidhjen e problemit të pronës, që është vendosur si një angazhim konkret i PSßs në programin bazë "Për një rilindje shqiptare". E sigurisht, me zgjidhjen e problemit të pronës ka disa nivele që e përshkallëzojnë problemin, ku një nga këto nivele është dhe gjendja skandaloze e pronës në sensin e zhvillimit rural, si dhe pafundësia e konflikteve dhe e fragmenteve të tokës në hapësirën rurale të Shqipërisë”, - u shpreh Rama gjatë fjalës së tij. Sipas kryetarit të socialistëve, një çështje e tillë duhet të zgjidhet, pasi lidhet drejtpërsëdrejti me zhvillimin e këtij sektori. “Megjithatë bujqësia sot vazhdon, pavarësisht mungesës rrëqethëse të vëmendjes dhe të një programi real për zhvillimin e saj, të luajë një rol të rëndësishëm në ekonominë shqiptare. Duke u nisur nga kjo, nuk është e vështirë të parafytyrohet se çfarë transformimi mund të sjellë një zhvillim i saj në binarët e një zhvillimi të tërësishëm modern rral”, - tha ai.

Zhvillimi

Në vlerësimin e tij fshati shqiptar vijon të shfaqet si në mesjetë dhe do të mbetet në atë gjendje, nëse nuk kryhen reforma që do ta transformonin dhe ti kthenin rëndësinë. Për këtë arsye kryetari i socialistëve vuri në dukje faktin se “bujqësia duhet të jetë pjesë integrale e planit kombëtar të zhvillimit”.

Propozimi

“Duhen politika të reja fiskale në shënjestrimin e të gjitha kostove të sotme për të ulur çmimet e mekanikës bujqësore të inputeve bujqësore dhe në tërësi kostot e prodhimit. Duhet një kthesë radikale në qasjen ndaj gjithë hapësirës rurale, resurseve dhe ambientit rural.”

Infrastruktura

“Rrugët rurale duhet të jenë pjesë e një plani tërësor dhe e një zhvillimi të integruar rajon për rajon dhe të bazuara në studime dhe përfundime të qarta lidhur me efektshmërinë e tyre në raport me prodhimin, në raport me punësimin, në raport me aksesin e prodhimit në treg.”

Dëgjesa për Gjykatën Administrative

PS vijon takimet me grupet e interfesit për amendimet

Keqfunksionimi i sistemit gjyqësor si dhe hartimi i reformave për përmirësimin e tij sollën dje organizimin e dëgjesës së dytë publike të Partisë Socialiste. Kështu në funksion të hartimit të një drafti të plotë mendimesh mbi projektligjin për Gjykatën Administrative PS ftoi në një tryezë konsultimi grupe të interesit: ligjvënës, juristë, avokatë, biznesmenë dhe ekspertë të fushës. Sekretari për koordinimin në PS-së, Fatmir Xhafaj, vuri në dukje se forca e tij politike ka qenë shumë e preokupuar për këtë projekt për shkak të keqfunksionimit të sistemit gjyqësor, pasi nuk kërkon të shtojë problemet në gjykata. “Projekti është në shqyrtim në Komisionin e Ligjeve, por për të qenë të kujdesshëm kemi menduar që projektin në tërësi dhe amendamentet në veçanti ti bëjmë pasi të kemi bërë këtë cikël konsultimesh. Ne kemi disa çështje për të cilat kemi interes të veçantë”, - tha Xhafaj. Ndërkohë nga ana e tij relatori i çështjes në Komisionin e Ligjeve, Armando Subashi, u ndal te numri i gjykatave që do të krijohen pas miratimit të këtij ligji. Për këtë arsye Subashi kërkoi nga të ftuarit në tryezë që të japin mendimet e tyre mbi një çështje të tillë. “Do të donim të dinim një mendim në lidhje me numrin e gjykatave që duhet të krijohen pas miratimit të këtij ligji, duke pasur parasysh rolin që do të kenë këto gjykata. Sipas projektligjit që po diskutohet në Komisionin e Ligjeve, pritet të ngrihen 6 gjykata të shkallës së parë dhe një gjykatë apeli”, - deklaroi Subashi. Nga ana e saj PS-ja ka bllokuar prej gati tre vjetësh miratimin e një ligji të tillë, duke e argumentuar këtë qëndrim pikërisht me mosplotësimin e atyre kritereve që duhet të realizojnë me ngritjen e gjykatave administrative.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›