E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS nis sulmin ndaj kandidatit te Tiranes

22/03/2011  Vrasjet e 21 janarit, PS kallëzim penal për ministrin e Brendshëm në prokurorinë e Tiranës

Fushata, socialistët nisin të vënë në zbatim pjesë të strategjisë së tyre elektorale

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste depozitoi dje në prokurorinë e Tiranës kallëzimin penal në ngarkim të shtetasit Lulëzim Xhelal Basha, me detyrë ministër i Brendshëm, si urdhëruesi kryesor i masakrës së 21 janarit. Përmes kësaj nisme tashmë Partia Socialiste duket se ka nisur të vërë në zbatim pjesë të strategjisë së saj elektorale. Nisur nga fakti se ministri Basha do të jetë konkurrenti që do të përfaqësojë Partinë Demokratike në garën për postin e Bashkisë së Tiranës, shihet qartazi se në qendër të fushatës elektorale të kampit rozë do të jenë pikërisht akuzat e ashpra ndaj kundërshtarit të tyre. Ndërkohë ndalur te nisma konkrete e ligjvënësve socialistë, veç ministrit Basha pjesë e këtij kallëzimi penal janë edhe dy drejtuesit e Policisë së Shtetit të përfshirë në këtë ngjarje: Hysni Burgaj, drejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, dhe shtetasi Sajmir Muçaj, me detyrë drejtori i policisë së Tiranës. Ishte deputeti i PS-së Taulant Balla që dorëzoi në prokurori kërkesën për procedim penal ndaj këtyre shtetasve shqiptarë. Njëkohësisht, sipas tij, bashkangjitur këtij kallëzimi grupi parlamentar i PS-së vuri në dispozicion të institucionit të prokurorisë edhe prova dhe dokumente që vërtetojnë fajësinë e tre shtetasve të akuzuar për masakrën e 21 janarit. “E dorëzuam sot këtë kërkesë sepse sot bëhen dy muaj nga 21 janari. Në dosjen bashkangjitur ka dokumentacion që vërteton fajësinë e tyre. Kjo dosje nuk do të bëhet publike nga ana jonë për hir të seriozitetit të forcës sonë politike, por dhe në respekt të institucionit të prokurorisë dhe të hetimit të plotë të kësaj ngjarjeje”, - vuri në dukje Balla gjatë prononcimit të tij për shtyp pas depozitimit të kësaj kërkese në prokurorinë e Tiranës. Kështu, gjatë mbledhjes së radhës që zhvilloi, grupi parlamentar i Partisë Socialiste mblodhi firmat mbi një çështje të tillë. Kryefjala e kësaj kërkese lidhet pikërisht me fajësinë dhe përgjegjësinë e një individi për vrasjet e 21 janarit, e konkretisht të ministrit Basha. Socialistët i mëshojnë me forcë faktit se ishte ministri i Brendshëm ai që dha urdhrin për të gjuajtur me armë zjarri mbi protestuesit. “Kallëzojmë si urdhërues të krimit ministrin e Brendshëm Lulzim Basha, epror i drejtpërdrejt i Gardës, pa urdhrin e të cilit, në kushtet kur nuk paraqitej asnjë rrezik për jetën e tyre, gardistët nuk kishte si të qëllonin. Ka dyshime të besueshme se ata që janë urdhëruar të qëllojnë kanë ekzekutuar një urdhër kriminal dhe këtë urdhër nuk kishte të drejtë ta jepte askush tjetër përveçse eprori i tyre i drejtpërdrejtë hierarkik, i kallëzuari prej nesh Lulëzim Basha”, - thuhet në kallëzimin penal të PS-së.

Zgjedhjet e 8 majit

PS protestë: Po manipulohen listat e votuesve

Partia Socialiste organizoi dje një protestë pranë Ministrisë së Brendshme për listat e zgjedhësve. Në këtë manifestim të saj selia rozë denoncoi faktin se mazhoranca qeverisëse po përpiqet të manipulojë listat e zgjedhësve nëpërmjet shtimit të emrave në Tiranë. Si një nga organizatorët e kësaj proteste, deputeti i PS-së Namik Dokle u shpreh: “Lulëzim Basha u ka dhënë urdhër të gjithë punonjësve të Ministrisë së Brendshme që banojnë jashtë Tiranës, që urgjentisht të bëjnë regjistrimin në Tiranë vetëm për të shtuar ca vota. Por zotëri, nuk mund të fitoni as Tiranën, as Shqipërinë me manipulime.” Ndërkohë, duke vijuar po në këtë linjë, Dokle deklaroi prerë se “ka marrë fund koha e manipulimeve, ka marrë fund që më 2009-n dhe Partia Socialiste, Opozita e Bashkuar dhe populli shqiptar që do demokracinë, do votën e lirë, nuk lejon më manipulime”. Nga ana e saj kryetarja e minibashkisë numër 1 në kryeqytet Lindita Nikolli bëri me dije se PS-ja ka prova se po shkelet Kodi Zgjedhor duke regjistruar në Tiranë persona të cilët vijnë nga qytete të tjera. “Në shumë minibashki po bëhen regjistrime të personave që vijnë nga qytete të tjera me qëllimin për të vjedhur zgjedhjet dhe ska asnjë pengesë nga sistemi i gjendjes civile për të mos i lejuar ata”, - theksoi Nikolli. Gjithashtu Nikolli premtoi se nuk do të lejojë që asnjë votues i sjellë me forcë me një kontratë fiktive në dorë të bëhet pjesë e manipulimeve për zgjedhjet. “Ne jemi shprehur se do të përdorim të gjitha mjetet për të ndalur manipulimet dhe nga juristët e PS-së po përgatiten dosjet për të bërë kallëzim penal për këto shkelje”, - vuri në dukje Nikolli gjatë fjalës së saj të mbajtur në këtë protestë.

Rikandidimi

Kryetari i Partisë Socialistë, Edi Rama, konfirmoi dje rikandidimin e tij për një mandat të katërt në krye të Bashkisë së Tiranës në zgjedhjet lokale të 8 majit. Kështu, nisur nga deklarata e bërë prej vetë atij, do të ishte dita e hënë ajo që do tu jepte fund të gjitha hamendësimeve për një rikandidim apo jo të tij në këtë post. Megjithatë, në prononcimin e tij tepër të shkurtër kreu socialist ka lënë të nënkuptohet rikandidimi i tij, duke mos dhënë sërish një përgjigje zyrtare mbi një çështje të tillë. Kësisoj, përpara takimit që zhvilloi dje me presidentin e Kosovës Behxhet Pacolli, kreu i PS-së Rama preferoi të japë një deklaratë të shkurtër në lidhje me kandidaturën që do të përfaqësojë këtë parti në garën për kryesimin e bashkisë së kryeqytetit. “Sot ishte përsëri pranverë në Tiranë, një ditë e mrekullueshme, që nisi me daullet e paqes së fëmijëve dhe tani po shkon drejt fundit të saj me takimin me Presidentin e ri të Kosovës, që kam nderin ta mikëpres në Bashkinë e Tiranës dhe për hir të gjithë mrekullisë së kësaj dite dhe diellit më lejoni të mos e mërzis as Saliun me ndonjë lajm të keq”, - vuri në dukje Rama sa i takon një çështjeje të tillë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›