E Hënë, 2 Nëntor 2026

PS ofertë BG-R për zgjedhjet

31/05/2005  Grifith: Mes dy ofertave që na erdhën, zgjodhëm aktorët, me të cilët kemi të njëjtat parime

Berisha 500 mijë euro për Barbouur Grifith& Rogers, Nano 2 milionë Dollarë

Kompania Amerikane Barbouur Grifith& Rogers ka deklaruar dje se Partia Socialiste ka tentuar të hyjë në bisedime me këtë kompani, për të marrë në dorë menaxhimin e zgjedhjeve parlamentare në favor të saj. Drejtori Ekzekutiv, Leny Grifith, tha se, nga të dy ofertat që kanë ardhur nga Shqipëria, kanë zgjedhur Partinë Demokratike, duke mos parë anën komerciale të çështjes, por atë politike. “Në lidhje mes PS-së dhe PD-së, për sa u përket ofertave nuk është rast i rrallë që na bie të zgjedhim konkurrentin që ofron më pak. Para se të vendosnim, ne pamë nëse do të zgjidhnim duke u bazuar tek ana e biznesit, apo tek ana e politikës. Ne kemi vendosur që të bashkëpunojmë për ata aktorë me të cilët kemi të njëjtat parime”, tha Grifith. Drejtori Ekzekutiv i kësaj kompanie tha se pavarësisht sondazheve të publikuara, nuk mund të parashikohet se çfarë do të ndodhë ditën e zgjedhjeve. “Kam parë sondazhin e NDI-së, çka është afërsisht i njëjtë me sondazhin që kemi bërë ne 2 muaj më parë. Kam dëgjuar për sondazhin e Gallup, por nuk kam patur mundësi që ta kem në dorë. Ajo që kam menduar në çdo fushatë ka qenë se kam menduar sikur ishim 10 pikë mbrapa, sepse gjëja më e rëndësishme është që t'i mbushim mendjen atyre që të marrin pjesë dhe të jenë entuziastë”, tha Grifith.

Shuma

Burime në PD shprehen se shuma e ofruar nga socialistët për BG&R është rreth 2.5 herë më e lartë se ajo që i kanë dhënë demokratët kësaj kompanie. Të njëjtat burime shprehen se shuma që ka dhënë PD është rreth 500 mijë euro, ndërsa socialistët i kanë ofruar rreth 2 milionë dollarë. Burimet shprehen se oferta e përfaqësuesve socialistë është bërë në muajin janar, gjatë kohës që në media u përhap lajmi se kompania amerikane do merrte në dorë menaxhimin e zgjedhjeve për opozitën, ofertë e cila është refuzuar nga drejtuesit e Barbour Grifith & Rogers.

Berisha

Tratativat e socialistëve me BG&R i ka pohuar dhe lideri demokrat, Sali Berisha, i cili u shpreh se nga kryetari i PS-së përfaqësuesve të BG&R i janë ofruar shifra marramendëse. Sipas kryetarit të PD-së, kjo kompani nuk mund të marrë në dorë një klient i cili është i destinuar të humbë. “Ne kemi një traditë të shkëlqyer me republikanët dhe kompania BG&R është një kompani lobiste republikane. Ju nuk e dini se Fatos Nano ka ofruar shuma marramendëse, jo vetëm kësaj kompanie, por shumë të tjerave. Edhe disa prej tyre që janë bipartizane, apo të krahut tjetër, nuk kanë pranuar dhe e kanë refuzuar. Pse? Sepse klientin e pashpresë askush nuk do ta marrë”, tha Berisha. Sipas tij, PD do të bashkëpunojë me BG&R edhe pas përfundimit të zgjedhjeve, në rast se opozita fiton zgjedhjet. Por, nga ana tjetër, Berisha deklaroi se pas shpalljes zyrtare të fushatës nuk do të dalë përpara publikut me përfaqësuesit e huaj, duke thënë se do i përmbahet zbatimit të ligjit. “Kjo ështa dalja e fundit në publik me të huajt, sepse pas datës 3 qershor ligji nuk e pranon një gjë të tillë dhe unë do ta respektoj”, tha Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›