E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, “oponenca kolektive” gati për votim



Aristir Lumezi

“Oponenca kolektive” pritet t’i kalohet mbledhjes së Asamblesë Kombëtare për votim. Grupi i punës për statutin, i caktuar muaj më parë nga vetë Asambleja e PS, ka mbledhur propozimet e bëra përmes pyetësorit dhe do t’ia paraqesë asamblesë për miratim. Statuti i ri i PS-së do të ketë dhe një dokument të ri të tij, “Librin e rregullave”, i cili do të jetë mekanizmi që do të përcaktojë se si do të zbatohen çështjet parimore të përcaktuara në statut. Një nga pikat e nxehta të ndryshimeve statutore, është dhe “oponenca kolektive”, e propozuar që në vitin 2006 nga anëtari i Asamblesë Kombëtare Maqo Lakrori, është risjellë sërish në propozimet e reja për në statut. Mësohet se grupi i punës, i cili i ka miratuar në parim propozimet e bëra, do të pranojë edhe oponencën për ta përfshirë në draftin përfundimtar që do t’i paraqitet Asamblesë Kombëtare për miratim. Edhe në pyetësorin e shpërndarë në të gjithë anëtarësinë socialiste, është vlerësuar në shumicë, domosdoshmëria e përfshirjes në statut të oponencës kolektive, veçanërisht në momentet kur brenda partisë ka dhe mendime ndryshe. Një strukturim i tillë i mendimit ndryshe, bazuar në një platformë të shkruar dhe të prezantuar, do të eliminonte çarjen e mëtejshme të PS. Pyetësorët e ardhur në PS, këmbëngulin ndër të tjera dhe në vendosjen e një kryetari në nivel rrethi dhe pse ky organizim administrativ nuk ekziston më, por duket se nga ana organizative partiake do të ishte funksional. Zgjedhjet e kaluara treguan se kryetari i PS-së së rrethit është i nevojshëm, për të përqendruar aktivitetin dhe përgjegjësinë e strukturave partiake. Gjithashtu, një tjetër propozim që vjen nga anëtarësia socialiste përmes pyetësorit, është edhe pakësimi i numrit të sekretarëve në selinë qendrore, duke i dhënë një ngarkesë politike më të madhe çdo anëtari të kryesisë. Gjithashtu pritet që të ndryshojë dhe mandati i kryetarëve dhe sekretarëve të PS në nivel lokal, ku propozohet që mandati i tyre të jetë dy vjeçar dhe jo katër vjeçar siç është sot dhe ata të mos zgjidhen njëlloj përmes të njëjtit votim me “një anëtarë një votë” me kryetarin e PSSH-së.
Oponenca
Anëtari i Asamblesë Kombëtare, ish rivali i Edi Ramës në garën për kreun e PS-së, Maqo Lakrori ka paraqitur sërish platformën e tij për përfshirjen në statut të oponencës kolektive. Në themel të propozimit të Lakrorit është drejtimi kolegjial i partisë dhe rritja e prezencës dhe fuqisë së anëtarit të partisë dhe anëtarëve të forumeve. Sipas propozimit, “oponenca” do të rrisë demokracinë e brendshme në parti dhe aftësinë vetëkorrigjuese të saj, ndërsa vendimi për krijimin dhe përmasat e oponencës kolektive është monopol i anëtarëve të partisë dhe jo i forumeve të saj drejtuese. “E drejta e anëtarit të PS, për të shprehur oponencën e vet korrigjuese për programin dhe veprimtarinë politike të partisë e të përfaqësuesve të saj në pushtetin Legjislativ/Ekzekutiv, është e pacenueshme. Këtë të drejtë anëtari i partisë mund ta realizojë individualisht dhe/ose në formë kolektive, nëpërmjet votimit të platformës kolektive që përfaqëson oponencën e tij”, thuhet në propozimet e Lakrorit. Duke përcaktuar mënyrën se si do të bëhet përfaqësimi i përfaqësuesve të oponencës kolektive në forume, Lakrori propozon që ata të marrin 20% të forumeve në parti dhe në Ekzekutiv kur partia është në pushtet. “Në rast se në votim marrin pjesë mbi 50% e anëtarëve të partisë dhe për platformën përkatëse votojnë mbi 20% e anëtarëve të partisë, sipas përqindjes së fituar në votimin nga anëtarësia e partisë, oponencës së organizuar i garantohet numri përkatës i kandidatëve për deputetë dhe në detyra të tjera politike të ekipeve ekzekutive. Në cilindo rast, kandidatët duhet të plotësojnë kriteret cilësore, të vendosur nga Asambleja Kombëtare”, propozohet në platformën e paraqitur nga Lakrori.

Propozimet për oponencën kolektive

Në Statut

E drejta e anëtarit të PS për të shprehur oponencën e vet korrigjuese për programin dhe veprimtarinë politike të partisë e të përfaqësuesve të saj në pushtetin Legjislativ/Ekzekutiv, është e pacenueshme. Këtë të drejtë anëtari i partisë mund ta realizojë individualisht dhe/ose në formë kolektive, nëpërmjet votimit të platformës kolektive që përfaqëson oponencën e tij.

Kur platforma shprehëse e oponencës brenda partisë, fiton mbështetjen e mbi 20% të votave të fshehta e të drejtpërdrejta të anëtarëve të partisë, atëherë me përmasat e përcaktuara nga kjo mbështetje, pranë Asamblesë Kombëtare të PS krijohet dhe funksionon në formë grupi të organizuar oponenca kolektive.

Në Librin e Rregullave

Nismëtarët e shprehin oponencën e tyre kolektive në formën e një platforme të shkruar. Platforma duhet të ketë mbështetje me shkrim (firmë dhe të dhëna të tjera personale të verifikueshme nga administrata e partisë) nga të paktën 2000 anëtarë të PS. Të paktën 50% e numrit minimal të firmëtarëve duhet të jenë anëtarë të PS prej më shumë se 10 vjet.

Periudha e shqyrtimit të platformës oponente në parti zgjat jo më pak se një muaj, kurse votimi kryhet në një ditë, jo më vonë se tre muaj nga data e paraqitjes së saj.

Në rast se në votim marrin pjesë mbi 50% e anëtarëve të partisë dhe për platformën përkatëse votojnë mbi 20% e anëtarëve të partisë, atëherë:
-platforma e oponencës kolektive integrohet në programin themelor/statutin e partisë; ky integrim kryhet nga mbledhja e posaçme e Asamblesë Kombëtare dhe ratifikohet nga kongresi vjetor të radhës.
-Asambleja dhe Kongresi, përveç anëtarëve të vet, bashkëautorë të platformës, shtojnë me kooptim edhe anëtarë të tjerë nga radhët e oponentëve firmëtarë deri sa përqindja e tyre në Asamble dhe në Kongres të përputhet me përqindjen e fituar nga votimi i anëtarësisë së partisë.
-Kryesia e PS votëbesohet dhe bëhen plotësimet përkatëse nga radhët e anëtarëve të Asamblesë Kombëtare, pjesëtarë të grupit të oponencës kolektive.
-Sipas përqindjes së fituar në votimin nga anëtarësia e partisë, oponencës së organizuar i garantohet numri përkatës i kandidatëve për deputetë dhe në detyra të tjera politike të ekipeve ekzekutive. Në cilindo rast, kandidatët duhet të plotësojnë kriteret cilësorë, të vendosur nga Asambleja Kombëtare.

Në rast se në votim marrin pjesë mbi 50% e anëtarëve të partisë dhe për platformën votojnë mbi 50% e tyre, atëherë;
-mblidhet kongresi i jashtëzakonshëm i PS për miratimin e platformës së integruar.
-Kongresi përtërin përbërjen e Asamblesë Kombëtare, administron kandidaturat për zgjedhjen ose rizgjedhjen e kryetarit të PS dhe vendos datën e votimit.
-Oponenca kolektive që ka sjellë këtë rezultat, ndërpret ekzistencën si e tillë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›