E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS perfshihet ne debate per kursin politike

Partia Socialiste është përfshirë nga debate të brendshme përsa i përket kursit politik dhe organizimit të saj. Sesioni parlamentar do të përfundojë të enjten e ardhshme, kur do të zhvillohet edhe seanca e fundit. Edhe në këtë seancë pritet që grupi parlamentar socialist të mungojë, në vijim të vendimit politik për bojkot. Kundër linjës së bojkotit të Parlamentit, ku diskutohen, debatohen dhe votohen projektligje të rëndësishme, në funksion të reformave integruese, janë shprehur disa eksponentë të rëndësishëm të forcës më të madhe politike të opozitës. Deputetët socialistë Kastriot Islami dhe Arben Malaj, kanë qenë kategorikë në qendrimet e tyre në lidhje me një reformim të partisë dhe demokratizim të vërtetë të saj. Ata mendojnë se linja e ndjekur nga lidershipi i Partisë Socialiste është e gabuar.

Ndërkohë kryesocialisti Edi Rama flet për opozitarizëm të fortë në raport me regjimin e mazhorancës dhe qeverisë së dalë prej saj. Ai ka ngritur zërin për zgjerimin e aleancës së partive opozitare. Por, në të njëjtën kohë, koalicioni i majtë ka marrë goditje nga një prej krerëve të partive aleate. Kryetari i Partisë Demokristiane Nard Ndoka, gjendet shumë pranë braktisjes së kësaj aleance. Së fundmi, ai jo vetëm që ka kundërshtuar politikën e ndjekur nga Rama, por e ka akuzuar atë për bajraktarizëm të opozitës.

Nga ana tjetër, Skënder Gjinushi, kryetari i Partisë Socialdemokrate ka kundërshtuar uljen në negociata me mazhorancën për reformën zgjedhore. Ai kërkon radikalizim të aksioneve opozitare. Ndërkohë edhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, me heshtjen e saj tregon se nuk pajohet me këtë kurs politik të udhëqheqjes së PS-së. Shkak për këtë menohet të jetë mungesa e mbështetjes së PS-së për kandidatit e saj Vasil Bollano në zgjedhjet për kryebashkiak të Himarës, çka solli edhe humbjen e kësaj Bashkie.
Këto çoroditje politikës që ndjek Partia Socialiste kanë marrë një notë negative nga një prej zyrtarëve të saj të lartë. Arben Malaj, thotë se partia e tij ka nevojë për të ndërtuar një model të ri të funksionimit të demokracisë Brenda saj.

Edi Rama gjendet përballë kritikave dhe oponencës së fortë nga figura të rëndësishme dhe me peshë në parti. Arben Malaj, Ben Blushi dhe Erjon Braçe, kanë refuzuar të jenë pjesë e komisioneve partiake, të cilat do të ngihen për ndryshimet në statut. Thirrjet drejtohen në radhë të parë e mbi të gjitha për reformim të linjës politike të Partisë Socialiste dhe ndryshim të lidershipit të saj.


Më shumë nga Politika

Të gjitha ›