E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, protestë në Tiranë në 21 dhjetor

TIRANE- Opozita nis javën që vjen turin e dytë të protestave në mbarë vendin me moton: “Hap kutitë, ose ik”.

Pas anëtarësimit dhe mbështetjes që PS-ja mori nga e majta evropiane dhe anëtarësimi në Partinë Socialiste Evropiane, kreu socialist pritet t’i drejtohet sërish popullit në qytetet kryesore të vendit për të realizuar transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit.

Duke e filluar me Vlorën, Shkodrën e Beratin, dhe në datën 21 dhjetor në Tiranë, opozita do të kërkojë sërish hapjen e kutive të zgjedhjeve të 28 qershorit, dhe bashkë me të do të kërkojë largimin e kryeministrit Berisha.

Ndërkohë, të mërkurën e ardhshme do të mblidhet Asambleja e PS-së e cila do të diskutojë për situatën ekonomike në vend. Por, në përfundim të protestës së madhe të 20-21 dhe 22 nëntorit, kryetari i PS-së, Edi Rama lajmëroi se këtej e tutje do të jenë grupet e interesit, njerëzit pa përkrahje, invalidët, pensionistët, minatorët, etj, pjesë e protestave që do të organizojë gjatë dhjetorit e në vijim PS-ja, deri në largimin e kësaj qeverie. Këto protesta do të marrin kështu edhe një karakter social, duke kërkuar jo thjesht hapjen e kutive, por edhe ndryshimin e situatës së rënduar ekonomike-sociale.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›