E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu: Pas Hagës, valë e re njohjesh për Kosovën

PRISHTINË- Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi thanë se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte një vendim i drejtë dhe konform së drejtës ndërkombëtare dhe se kjo është argumentuar në paraqitjet e tyre para GJND-së edhe nga vende të shumta.

Presidenti Sejdiu tha se kishte parë para GJND-së një prezantim të shkëlqyeshëm nga të gjitha vendet që mbrojtën pavarësinë e Kosovës. Argumentet janë shtruar në mënyrën më të mirë të mundshme, tha Sejdiu, duke përsëritur se Kosova, edhe këtë herë, u trajtua si një rast i veçantë.

Presidenti shprehu bindjen e tij se pas procesit të GJND-së, do të pasojnë njohje të reja. “S’mund të them se cilat do të jenë këto vende, por është në agjendën e tyre, besoj të studiuar jashtëzakonisht mirë, dhe do të dalin me mbështetje të mëtutjeshme edhe në procesin e anëtarësimit të Kosovës në mekanizmat tjerë ndërkombëtarë”, tha Sejdiu.

Edhe kryeministri Hashim Thaçi, në emër të Qeverisë së Kosovës, falënderoi shtetet mike që mbrojtën të drejtën e Kosovës për pavarësi. Thaçi tha se Kosova tashmë është përcaktuar qartë si shtet që mëton ndërtimin e demokracisë së brendshme dhe integrimin e saj në strukturat euroatlantike.

“Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do t’i ndihmojë edhe shtetet që hezitojnë tash për tash që ta njohin vullnetin legjitim të qytetarëve të Kosovës, të institucioneve të Kosovës, që të ndodhin njohje edhe më të shpejta, edhe më të shumta”, tha ai.

“Pavarësia e Kosovës, përveç që është e drejtë legjitime, ka sjellë edhe qartësi, stabilitet, bashkëpunim rajonal, fqinjësi të mirë me gjithë rajonin tonë”, tha Thaçi.
(m.a/rel/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›