PS refuzon hetimin e zgjedhjeve nga prokurorët
Partia Socialiste nuk ka treguar asnjë shenjë gatishmërie për kompromis
Partia Socialiste nuk ka treguar asnjë shenjë gatishmërie për kompromis pas dështimit të konsensusit për projektligjet e saj në Kuvend. Një ofertë që dukej se e zgjidhte ngërçin, e ardhur nga Kryeministri Berisha për hetim të pavarur të zgjedhjeve nga ana e 100 prokurorëve, është refuzuar në mënyrë kategorike nga socialistët. Një hetim nga ana e prokurorisë do të mundësonte dhe hapjen e kutive të votimit, gjë që mazhoranca nuk e pranon si pjesë të hetimit parlamentar për shkak të kundërshtisë kushtetuese. Por PS, edhe pse kërkon me ngulm hapjen e kutive, e refuzoi një mundësi të tillë. Deputeti i PS-së, Ditmir Bushati, tha dje: Nuk duhen 100 prokurorë, mjafton një komision hetimor që nuk ndalohet të hapë kutitë. Duke sqaruar më tej kundërshtimin e partisë së tij, Bushati u mjaftua duke thënë: Për sa i përket propozimit të vjetër të Sali Berishës për hetimin e zgjedhjeve nga një grup prej 100 prokurorësh, do të thosha se nuk duhen 100 prokurorë, po vetëm një mazhorance që zbaton Kushtetutën dhe nuk pengon transparencën. Transparenca e kutive dhe kontrolli i zbatimit të ligjeve është detyra kushtetuese e ligjvënësit. Ai nuk komentoi se pse prokurorët nuk mund të ishin garantë të këtij hetimi, ndërkohë që kutia më e përfolur, ajo e Ruzhdies u hap pikërisht nga prokuroria. Aq më tepër në ndihmë të kësaj teze i vjen edhe eksperienca e huaj.