E Diel, 1 Nëntor 2026

PS-së, të premten shqyrton ankesat

27/04/2005  Komitetet Zonale Elektorale janë strukturat, që adminstrojnë proceset përzgjedhëse në PS, duke zbatuar parimin e demokracisë së drejtpërdrejt

Kryesia Socialiste do të vendosë për ndryshimet në statut dhe për listën e kandidatëve

Këtë javë vendoset mbledhja e KPD-së dhe Kongresit

Kryesia e Partisë Socialiste, ditën e premte pritet të marrë në shqyrtim të gjitha letrat dhe ankimet, që kanë depozituar strukturat e kësaj partie nga rrethe të ndryshme të vendit. Burime në PS-së janë shprehur për “Metropol”, se pas prezantimit të listës së kandidatëve për 100 zonat elektorale të vendit, në strukturat e rretheve si dhe pas vjeles së rekomandimeve, kritikave apo sugjerimeve nga këto struktura, kryesia do të bëjë bilancin për përgatitjen e një liste, sa më të saktë të kandidaturave për deputet për zgjedhjet e 3 korrikut. Lista që do të dalë nga mbledhja e kryesisë, do të shkojë për shqyrtim KPD-së, për të marrë më pas dhe miratimin e kongresit të 5 majit. Anëtarët e kryesisë, gjithashtu do të shqyrtojnë dhe ndryshimet që do t`i bëhen statutit të partisë. Pas deklaratës nga kryetari i PS-së, Fatos Nano se parimi “një anëtar një votë” do të zgjedhë dhe lidershipin e socialistëve, tashmë kjo gjë pritet të zyrtarizohen në statut.

Ndërkohë, që në datën 2 maj PS-ja pritet të zhvillojë dhe mbledhjen e Komitetit të Përgjithshëm Drejtues, për t`u pasuar tre ditë më vonë nga Kongresi Elektoral.

Kandidatët

Strukturat e degëve dhe nëndegëve gjatë këtyre ditëve kanë dërguar letra në formë ankimesh në zyrat qendrore të Partisë Socialiste. Ankesa për kandidaturat për deputet, në këtë seli kanë sjellë rrethe si Librazhdi, Pogradeci, Gramshi, Elbasani, strukturat e së cilëve nuk kanë qenë dakord me kandidatët e prezantuar nga anëtarët e kryesisë socialiste, pasi kanë dashur që në zonat e tyre të kandidojnë emra, që dalin nga pëlqimi i bazës. Në rastin e kandidatit Maqo Lakrori, në zonën e Pogradecit strukturat e bazës, pasi kanë kundërshtuar propozimin, janë shprehur se nuk garantojnë fitore për këtë kandidaturë. Përplasje ka patur dhe për emrin e Ilir Zelës, i cili edhe pse është i pëlqyer nga baza e rrethit të Librazhdit nuk gëzon të njëjtin mbështetje nga kryesia. Aktualisht situata është e paqartë për vetë të përjashtuarit nga lista paraprake e kandidatëve për deputet, por gjithçka pritet të marrë formë përfundimtare, vetëm dy ditë më vonë në mbledhjen e kryesisë, e cila do të marrë sërisht në shqyrtim emrat që sollën debate këto ditë në strukturat e bazës.

Statuti

Komiteti i Përgjithshëm Drejtues, i cili pritet të mblidhet në 2 maj, ku një pikë të rëndësishme të axhendës së tij do të jetë dhe përmirësimi i statutit të Partisë Socialiste. Përfshirja e parimit “një anëtar një votë” në përzgjedhjen e kryetarin e partisë, drejtuesit e kryesive të rretheve, drejtuesin e qarkut, drejtuesit e komiteteve zonale elektorale do të jenë të zyrtarizuar në statut, vetëm pas miratimit të delegatëve të kongresit. Gjithashtu në statut do të përcaktohet dhe procedura, për të përzgjedhur kandidatët për deputet si dhe për pushtetin vendor kjo zgjedhje nëpërmjet parimit “një anëtar një votë”. Njëkohësisht në statut do të përcaktohen funksionet e KZE-ve, të cilat në zgjedhjet e ardhshme të PS-së do të kenë rol parësor.

Statuti

Kryetari i Partisë Socialiste zgjidhet në bazë të parimit “një anëtar një votë”

Kandidatët për deputetë përzgjidhen, duke zbatuar formulën “një anëtar një votë”

Kandidatët për kryetar bashkie dhe komune zgjidhen në bazë të parimit “një anëtar një votë”

Drejtuesit e Partisë Socialiste në degë dhe në nëndegë zgjidhen, duke zbatuar parimin “një anëtar një votë”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›