E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpallen fituesit e parë të Këshillit Kombëtar të PD-së

27/04/2005  Kryesia, të rikthyerit dhe anëtarët e KOP-it më të votuarit

Partia Demokratike pritet të zyrtarizojë sot të 100 anëtarët e Këshillit Kombëtar, që është forumi më i lartë vendimmarrës pas Kuvendit. Burimet kanë bërë të ditur se deri më tani 19 anëtarët e Kryesisë së Partisë Demokratike, kanë marrë mbështetjen nga delegatët e Kuvendit. Pas tyre renditen një pjesë e mirë e anëtarëve të KOP-it, të cilët kandiduan për të marrë një vend në Këshillin Kombëtar. Burimet kanë bërë të ditur se është Lulëzim Basha, Tatjana Kongoli dhe Selami Xhepa, që kanë marrë garantimin e anëtarit në Këshill. Pas tyre mësohet se nuk kanë mbetur as të rikthyerit në Partinë Demokratike. Kështu themeluesit e kësaj partie do të japin mendimet e tyre në këtë forum, i cili do të marrë një reformim të gjerë. Kështu Arben Imami, Preç Zogaj, Gramoz Pashku, Genc Ruli dhe Rexhep Uka, kanë marrë mbështetjen e delegatëve. Në rifreskim janë përfshirë dhe anëtarët më të rinj të Partisë Demokratike. Mësohet se në Këshill do të jetë dhe drejtuesit e Forumit Rinor të Partisë Demokratike, që kanë marrë një mbështetje të konsiderueshme prej delegatëve. Ndërsa më pak të votuarit kanë qenë të propozuarit nga rrethet. Këta të fundit kanë marrë pak vota, gjë që nuk lë hapësira që këta të jenë pjesë e Këshillit Kombëtar. Rreth 730 delegatë të Partisë Demokratike kanë 250 kandidatura për 100 vende që ka Këshilli i PD-së. Në fletën e votimit, të parët kanë qenë emrat e anëtarëve të Kryesisë, më pas kanë qëndruar emrat e anëtarëve aktual të këshillit si dhe deputetët. Renditja në fletën e votimit ka qenë me anëtarët e KOP-it dhe të rikthyerit ndërsa mbyllej me të propozuarit nga degët. Megjithatë vetëm sot mbasdite pritet që PD-ja të shpallë zyrtarisht fituesit e Këshillit Kombëtar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›