E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS sulm Topit dhe Metës, presion Berishës

12/12/2008  Leskaj e Braho deklarojnë qëndrimin kundër ligjit. Vijojnë ndarjen për Kodin

“Nuk duhet të ngatërrojë dosjen e spiunëve me dosjet e Gërdecit e të Lulëzim Bashës”.

Socialistët akuzojnë Kryeministrin Berisha dhe LSI-në për shtyrjen e miratimit të Kodit Zgjedhor, ndërsa nuk harrojnë sulmet ndaj Presidentit mbi këtë çështje. Po nëse PS-ja dhe LSI-ja qëndrojnë larg njëra-tjetrës për Kodin e ri Zgjedhor, ato janë në një linjë ndaj ligjit për Prokurorinë. Përfaqësues të këtyre dy partive kanë reaguar sot nga selitë e tyre, duke dhënë qëndrimet përkatëse për të dyja këto çështje.

Reagimet për Kodin

Partia Socialiste ka preferuar që përmes kundërpërgjigjes ndaj sugjerimit të ardhur nga Kryeministri Berisha për dialog mes PS-së dhe LSI-së t’i kthejë përgjigje dhe ftesës së kësaj të fundit për bashkëpunim për ligjin elektoral. Kryetarja e ligjvënësve socialistë Valentina Leskaj gjatë një konference për shtyp theksoi se “vonesa e shkaktuar nga dekreti presidencial, i cili mund të ishte shmangur lehtësisht pa asnjë problem kushtetues nga ana e vetë Presidentit, nuk duhet të zgjatet pa asnjë nevojë nga ana e Kryeministrit”. Gjithashtu, po në këtë linjë, Leskaj vuri në dukje se “nëse Sali Berisha kujton se do ta mbajë në pushtet Ilir Meta me mllefin e pakufishëm ndaj Partisë Socialiste, ky nuk është problemi ynë, por i Kryeministrit, i cili nuk duhet të ngatërrojë detyrimin madhor ndaj popullit shqiptar e partnerëve ndërkombëtare për një reformë zgjedhore konsensuale dhe të zbatuar ashtu si duhet, me politikën e tij të vjetër të ditës”. Po kështu, sipas socialistit Braçe, Presidenti Topi nuk mund të mbajë peng opozitën me apo pa dekret. Nga ana e saj LSI-ja përmes deputetit Spartak Braho akuzoi se “Edi Rama, ndonëse është kryetar i një partie që ende quhet e madhe, po sillet si i vogël, si adoleshent, duke mos u bërë i përgjegjshëm për t’u dhënë përgjigje ofertave apo angazhimeve, që ditët e fundit janë vënë në lëvizje edhe nga faktori ndërkombëtar për standardet që duhet të kenë zgjedhjet dhe gjithëpërfshirje njëkohësisht në administrimin e tyre”, - theksoi Braho lidhur me këtë çështje. Ndërkohë ministri i Jashtëm Lulëzim Basha ndalur në këtë çështje deklaroi se “uroj që kësaj radhe të gjendet një zgjidhje për t’u dhënë rrugë këtyre shqetësimeve të faktorit ndërkombëtar”.

Qëndrimi mbi ligjin për Prokurorinë

PS-ja dhe LSI-ja kundërshtuan me forcë projektligjin për Prokurorinë e sjellë sërish në Kuvend për diskutim nga ana e qeverisë. Kryetarja e grupit kuvendor të PS-së, Leskaj, duke u ndalur në këtë çështje, vlerësoi se “nuk mund të përdoret kali i një beteje morale si ajo me hijet e diktaturës komuniste për të shpëtuar të pandehurit e mazhorancës nga hetimi e gjykimi i drejtësisë”. Duke bërë me dije qëndrimin e grupit parlamentar që ajo drejton, Leksaj nënvizoi se “ne jemi gati të japim konsensus për të hedhur dritë mbi të shkuarën e të gjithë atyre që duan të merren me politikë, por jo për të mos lejuar që të merren me profesionin e tyre ata që po hetojnë për të hedhur dritë në gropat korrupsionit qeveritar”. Për deputetin e LSI-së Braho “ky ligj prek rëndë pavarësinë e organit të Prokurorisë, prek dhe cenon mbrojtjen e prokurorëve, i lë ata në mëshirën e politikës hakmarrëse të mazhorancës dhe të delikuenteve të krimit të rrugës, prek strukturat vendimmarrëse të Prokurorisë së Përgjithshme, eliminon rolin e Presidentit, nëpërmjet suprimimit të përfaqësuesit të tij në Këshillin e Prokurorisë”. Sipas tij, ligji për dosjet është ligj që drejtohet kundër prokurorëve aktualë, është bërë enkas për të trembur prokurorët me përvojë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›