E Diel, 1 Nëntor 2026

PS sulmon Gjykaten Kushtetuese

Dorëheqja e njërit prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Petrit Plloçit është shfrytëzuar nga Partia Socialiste për t’u hedhur në një sulm të ashpër ndaj Gjykatës Kushtetuese, duke marre madje tagrin e interpretimit të vendimeve përfundimtare të saj, e duke i konsideruar antikushtetuese dhe politike

“Sot mund të konsiderohet pa frikë “gjykatë e paligjshme”-theksoi deputeti socialist.

Përmes Fatmir Xhafës, nënkryetarit të saj në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, forca kryesore në opozitë përshëndeti largimin e Plloçit, i cili, sipas saj nuk u bë palë me dy kolegët e tjerë Xhezair Zaganjorin dhe Admir Thanzën në atë që Xhafa e quajti vetëzgjatje mandati përtej tre viteve të këtyre tre anëtarëve.
“Në këtë mënyrë ata i dhanë vetvetes mundësinë për të vazhduar të ushtrojnë tej çdo limiti kohor mandatin e gjyqtarit kushtetues, ndërkohë që ai iu ka përfunduar që përpara dy vjetësh”- nënvizioi Xhafaj

Gjykata Kushtetuese në dy interpretime të saj i ka dhënë të drejtë Kuvendit dhe jo Presidentit që të garantojë respektimin e Kushtetutës në përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, me tre anëtarë çdo tre vjet, duke legjitimuar dhe vendimin e saj për t’i kthyer Topit tre dekrete mbrapsht.

Por përmes deklaratës së Gjatë të Xhafës bie në sy një përkujdesje e hapur për të lënë jashtë thesit të akuzave, presidentin e Republikës, sipas mazhorancës, origjina e problemit kushtetues të krijuar në vitin 2010. Në atë kohë Topi, në kundërshtim me kushtetutën kërkoi zëvendësimin brenda 1 viti jo të tre, por të 6 anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Xhafa thotë se vendimi i dytë i Gjykatës bie ndesh më të parin dhe për ta justifkura këtë pretendim ai shkon deri aty sa servir një lexim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ashtu siç ai në të vërtetë nuk është shkruar.

“Ky vendim i Gjykatës është absolutisht në kundërshtim me vendimin që vet ajo ka miratuar një vit më parë (vendimi nr.24, datë 09.06.2011), sipas të cilit çështja e ripërtëritjes të gjyqtarëve të ardhshëm kushtetues është në dorë të ligjvënësit kushtetues, përmes një ndërhyrjeje në Kushtetutë”-deklaroi Xhafaj.
Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, qartazi duket se paragrafi përmes një ndërhyrjeje në Kushtetutë nuk ekziston në të, por vetëm në deklaratën e Xhafës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›