PS, tek dera e Kushtetueses, shpreson tek lidhja e gjyqtarëve me regjimin enverist

PD garanton se nuk do pengohet zbatimi i ligjit
TIRANE - Partia Socialiste, në pamundësi për t’u distancuar nga krimet mizorable të periudhës më kriminale në historinë e vendit, atë gjatë diktaturës komuniste, u angazhua dje për të bërë avokatin e kasapëve që kanë lyer duart me gjak gjatë 45 viteve të errëta për popullsinë shqiptare.
I udhëhequr nga diktati dhe dhuna e Edi Ramës, për të fshehur bëmat monstruoze dhe gjakatare të të afërmve të familjes së tij, një xhaketë e vjetër e PS-së, i njohur si shërbëtor dhe admirues i drejtësisë që jepej në komunizëm, Fatmir Xhafa mori guximin dje dhe i’u drejtua Gjykatës Kushtetuese me synimin e vetëm që të shpallë të paligjshëm dhe antikushtetues ligjin e miratuar në Kuvend “Për Pastërtitë e Figurës së Lartë të Zyrtarëve”.
Reagimi i mazhorancës
Partia Demokratike akuzon atë Socialiste dhe kryetarin e saj Edi Rama, se po bën përpjekje për të penguar ligjin e lustracionit, në mënyrë që të shpëtojë familjen e tij nga njolla e zezë si bashkëpunëtorë të klikës komuniste.
Zëdhënësi i grupit parlamentar Demokrat Aldo Bumçi deklaroi se Edi Rama po bëhet skllav i ndikimit familjar, si pinjoll i një prej diktaturave më kriminale të regjimit të kaluar.
“Edi Rama mesa duket është skllav i ndikimit familjar të cilin ne jemi të detyruar t’ua bëjmë të ditur shqiptarëve në mënyrë transparente dosje më dosje se ç’përfaqëson ai në fakt, si pinjoll i një prej trashëgimnive më kriminale të regjimit të shkuar.
Morali për Ramën nuk ka asnjë vlerë. Rama kërkon të mbyllë arkivin familjar”, tha Bumçi.
Ankimimi nuk e pengon zbatimin e ligjit
Një ditë pas hyrjes në fuqi të ligjit të lustracionit, zëdhënësi i grupit parlamentar demokrat Aldo Bumçi tregon hapat nëpër të cilat do të kalojë zbatimi i tij.
Sipas Bumçit ankimi i bërë nga socialistët në Gjykatën Kushtetuese i ligjit të pastërtisë së figurave nuk e pengon zbatimin e tij, përsa kohë që kjo gjykatë nuk merr ndonjë vendim për pezullimin e ligjit gjatë kohës që ai është nën shqyrtim.
Zëdhënësi i grupit kuvendor në PD vuri në dukje se ligji i dosjeve është në fuqi, është kushtetues dhe do të zbatohet.
“Ankimimi i opozitës në Kushtetuese nuk pengon zbatimin e tij. Ligji është kushtetues dhe do të zbatohet”, u shpreh Bumçi.
Ai nënvizoi se, me këtë nismë mazhoranca kërkon të ndajë njëherë e mirë Shqipërinë nga e kaluara e saj e errët nën diktaturën më të egër.
“Me ligjin e ‘dosjeve’ mazhoranca kërkon të ndajë Shqipërinë nga e kaluara e saj e errët nën diktaturë, ndërsa kryetari i PS-së po e mban peng gjithë opozitën, duke marrë përsipër krimet monstruoze kundër njerëzimit”, shtoi Bumçi.
Duke iu referuar rolit të Ramës në këtë çështje, zëdhënësi i grupit kuvendor të PD dhe njëherazi deputeti Aldo Bumçi tha se “me këtë akt Rama faktoi se u rikthye në identitet dhe se e drejta e morali nuk kanë për të asnjë vlerë përpara mbylljes së arkivit familjar, të firmave që kanë vendosur i ati dhe daja i tij, të cilët persekutuan me dhjetëra intelektualë dhe shqiptarë të pafajshëm, që nga viti 1946 deri në vitin ‘90”.
Garancitë e mazhorancës
Përfaqësuesi i mazhorancës garantoi se ligji i lustracionit i miratuar me shumicë votash në kuvend, është tërësisht kushtetues dhe se ligje të tilla kanë kaluar vendet e lindjes.
“Ligji është kushtetues, ligje të tilla kanë kaluar vendet e lindjes që tashmë janë anëtare të Bashkimit Evropian si Çekia, Sllovakia, Polonia, Hungaria në gjykatën kushtetuese të Çekisë, e ka cilësuar ligjin e legjislacionit çek si një ligj kushtetues.
Të njëjtën gjë ka bërë gjykata Kushtetuese sllovake”, u shpreh Aldo Bumçi, duke theksuar se përmes këtij ligji synohet vendosja e një standardi të munguar në shoqërinë shqiptare, që është dënimi dhe distancimi nga krimet e diktaturës.