E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: të gatshëm për heqjen e imuniteteve

Konferenca e djeshme e për integrimin

Konferenca e gjashtë e komisioneve parlamentare të integrimit europian, e organizuar në Tiranë, ka ulur dje për herë të parë në një tryezë delegacionin parlamentar të Kosovës dhe Serbisë. Ky takim vjen pas marrëveshjes mes dy shteteve, që parashikon mënyrën se si Kosova do prezantohet në takimet ndërshtetërore pa provokuar Serbinë. Ndërkaq, takimi me përfaqësues nga i gjithë rajoni u shfrytëzua dje nga ambasadorët e akredituar në Tiranë për ti bërë apel klasës politike shqiptare të vazhdojë me reformat për hir të integrimit. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, theksoi se ditën e hënë do të nisë shqyrtimi i ligjit për Gjykatën Administrative, duke shprehur vullnetin e opozitës për të dhënë votën pro, ashtu siç ka deklaruar kryesocialisti Edi Rama. Ndërkaq, sipas Topallit maxhoranca është e gatshme për të dhënë votën pro për kufizimin e imunitetit, duke ndryshuar Kushtetutën. Me cilindo variant, me ndryshim të Kushtetutës të heqim imunitetin, me variantin e sugjeruar nga Komisioni i Venecias, të heqim imunitetin, apo me variantin ekzistues që kemi sot në Parlament, duke shtuar deklaratat e pjesës tjetër të deputetëve të opozitës, të heqim imunitetin. Jo vetëm të deputetëve, por dhe të gjykatësve. Të gjithë atyre zyrtarëve të lartë, të cilët ende e  mbajnë dhe që nuk i bëjnë nder askujt, theksoi kryeparlamentarja. Në këtë tryezë, kreu i LSI-së, Ilir Meta, ka sulmuar Aleancën Kuq e Zi, që sipas tij, po bën përpjekje për të nxitur nacionalizmin dhe ekstremizmin ndaj fqinjëve. Ka këtu përpjekje për të nxitur një frymë nacionaliste, ekstremiste dhe ksenofobie ndaj fqinjëve, por kjo nuk përbën një shqetësim serioz, për arsye se nuk gëzon asnjë lloj mbështetjeje në opinionin publik, sepse orientimi i qytetarëve shqiptarë është shumë i qartë dhe shumë pragmatik, ai është përshpejtimi i integrimit europian si një projekt që u jep statusin e merituar si qytetarë të barabartë në Europën e bashkuar, deklaroi Ilir Meta.

Integrimi
Kryetar i Komisionit Parlamentar të Integrimit, Ditmir Bushati, theksoi dje se komisionet parlamentare të integrimit në rajon marrin një rëndësi të veçantë në rrugëtimin drejt BE-së. Komisionet tona kanë dhe duhet të luajnë një rol thelbësor. Ato duhet të shërbejnë si institucione kyçe për adresimin e çështjeve europiane. Duke u bërë kështu urat lidhëse mes qeverive dhe qytetarëve në arritjen e objektivit tonë të përbashkët, anëtarësimit në BE, tha Bushati.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›